Pesë muaj në Maqedoni dhe më pas rikthimi në Superligë… Për Gëzim Krasniqin, aventura te Rabotniçki ka qenë e shkurtër, ndoshta sepse i mungonte vërtet kampionati shqiptar, por kurrësesi Partizani, me të cilin ka luajtur… Ai sot ka firmosur dhe është prezantuar te Kukësi, teksa objektivi është titulli kampion.
Në një prononcim për “Supersport”, mbrojtësi shtatlartë ka folur për objektivat, dëshirën dhe zgjedhjen e beërë, ndërsa ka folur edhe për Partizanin…
“Të jem i sinqertë, kanë qenë objektivat që klubi i Kukësit ka shfaqur sezonet e fundit, që më kanë bindur t’i bashkohem kësaj skuadre. Dëshira për të fituar titullin është e madhe dhe për këtë arsye kam ardhur te Kukësi. Skuadrat në Superiore nuk kanë ndonjë diferencë të madhe, ndaj besoj se Kukësi do të bëjë diferencën”, u shpreh Krasniqi.
Ai foli edhe për përballjen me Flamurtarin, që ndaj Teutës nuk i pëlqeu aspak..
“Ndoqa të dielën ndeshjen mes Teutës dhe Flamurtarit dhe vlonjatët mu dukën shumë dobët, ndërsa Teuta më befasoi. Megjithatë ne duhet ta vlerësojmë shumë, që të arrijmë një rezultat pozitiv”, tha mbrojtësi i verilindorëve.
Pesë vite te “demat” dhe kujtime të bukura, edhe pse tani ka kritika…
“Kur isha unë, ishte tjetër atmosferë, por tani nuk më ngroh Partizani aspak. Nuk më duket se kanë bërë diçka serioze, pasi kanë ndryshuar thuajse 90 % të skuadrës. Nëse ndryshon skuadrën çdo sezon, është e vështirë të bësh hajër”.