Skuadra e Partizanit mbetet në merkato. Ekipi i “demave” ka afruar deri tani vetëm dy lojtarë me emër: Rubin Hebajn dhe Emanuel Mensahn, pa llogaritur Hilën që ishte dhe në Europë. Drejtuesit e klubit nuk duan të ndalen këtu, pasi po mendojnë dhe afrimin e futbollistëve të tjerë.
Trajneri Skënder Gega së bashku me stafin teknik duan një mesfushor organizativ. Në një anë është ofruar Valon Ahmedi, por klubi i kuq nuk është gati të paguajë shifrën e tij të lirimit, ndërsa nga krahu tjetër, Luçiano Moxhi, nuk ka hezituar t’u rekomandojë “demave” futbollistë nga Juventusi në formë huazimi. E mundshme kjo tratativë.
Ekipi i kuq po zhvillon stërvitje në Elbasan larg syve kuriozë të medieve dhe tensionit të tifozëve. Trajneri Skënder Gega meriton një plus të madh, pasi ka arritur të ndërtojë një grup kompakt. Burime të besueshme pranë ekipit bëjnë me dije se fryma është mjaft pozitive dhe kjo për meritë të trajnerit të ri.