Nuk është vetëm presidenti i Skënderbeut Ardjan Takaj optimist për kualifikimin, pasi ka mësuar shortin në Europa League, sepse edhe te Partizani i Beogradit janë entuziastë, kur kanë parë mungesën e një emri të madh në grup, të tipit Milan a Arsenal.
Milosh Vazura, Menaxheri i Përgjithshëm i Partizanit, deklaron: “Tifozët e Partizanit mund të jenë të lumtur me këtë short. Kemi shanse dhe mund të përballemi pa frikë me të gjithë. Tifozët mund të presin shumë nga Partizani në vjeshtë dhe synimi është që të luajmë futboll evropian edhe në pranverë. Të gjitha skuadrat e grupit janë të kalueshme, edhe pse Dinamo është ekipi më i madh dhe ndoshta ndeshja më e vështirë”.
Milan Radin, mesfushori i Partizanit, deklaron: “Kishim dy mundësi: i pari, të kishim ndonjë ekip t madh si Arsenali në grup, ndërsa i dyti një grup i ekuilibruar. Mendoj se shorti është i favorshëm dhe jemi në grup me skuadra të përballueshme. Mendoj se kemi shanse reale të kualifikohemi”.
Trajneri i Partizanit, Miroslav Djukiç, ka komentuar shumë shkurt për mediat serbe: “Mendoj se është një grup mjaft i ekuilibruar dhe çdo skuadër ka shanse kualifikimi”.
Mesfushori malazez Marko Jankoviç, tregohet i matur, duke vlerësuar rivalët: “Dëshiroja ndonjë skuadër të madhe, për të parë ku jemi krahasuar me elitën, por gjithsesi kemi përballë tre skuadra pak a shumë të të njëjtit nivel. Duhet respekt maksimal për çdo kundërshtar dhe duhet të përgatitemi sa më mirë. Do të analizojmë gjithçka dhe do të bëjmë gjithçka për kualifikimin, sepse tani jemi më të qetë e të çliruar, që do të thotë se mund të japim më të mirën tonë, duke shpresuar që të përmirësohemi në krahasim me dy vite më parë, kur i shkuam shumë pranë kalimit të fazës së grupeve”.