Të kuqtë ndryshojnë krejtësisht skuadrën. Kotobelli, La Kamera, Adorjan, Basrak dhe Herrera futen rishtas. Sukaj mund të quhet “blerje”
Merkatoja e verës ka qenë mjaft aktive për ekipin e Partizanit. Drejtori i Përgjithshëm Luçiano Moxhi ka marrë në dorëzim çelësat e ekipit dhe ka “kyçur” derën, duke bërë çdo gjë sipas kokës së tij. Afrimet janë ekskluzivitet i italianit dhe sezoni i ri do ta gjejë Partizanin nën firmën e 80-vjeçarit. Dështimet dhe sukseset i faturohen atij. E në një kampionat ku rivaliteti duket më i fortë se kurrë me Skënderbeun që po shkëlqen në Europë, Kukësin që vjen me petkun e kampionit të përforcuar në merkato, Flamurtarin “e ringjallur” në dukje, e çdo ekip tjetër në gjendje për të të marrë pikë, Moxhi ka detyrën e vështirë të kthejë titullin e munguar prej 24 vitesh.
Sukses i Skënderbeut i është “faturuar” menaxhimit të mirë me ruajtjen e boshtit të skuadrës, por ndryshe nga korçarët, të kuqtë kanë ndryshuar krejtësisht boshtin e ekipit, pasi në formacion ndaj Sienës kanë qenë 5 titullarë të afruar në merkaton e verës dhe “blerja” e Sukajt.
NDRYSHIMET E BOSHTIT – Partizani në ndeshjen ndaj Sienës aktivizoi nga minuta e parë Kotobellin, La Kameran, Adorjanin, Basrakun dhe Herreran, të gjithë të afruar gjatë merkatos së verës. 5 lojtarë të cilët janë futur rishtas në formacionin e teknikut Mark Juliano. Pa harruar edhe sulmuesin Xhevahir Sukaj që sezonin e kaluar ishte në hije, ndërsa sivjet pritet shumë prej tij. Shkodrani është preferuar si titullar duke u “riblerë” nga Juliano. Aktivizimi i tij e çon në 6 numrin e futbollistëve që ndryshojnë nga ekipi i sezonit të kaluar. Afrimi i Çanit me ekipin dhe “imponimi” për aktivizimin e tij nga minuta e parë bën që të jetë një tjetër lojtar që pritet të debutojë me të kuqtë në kampionat. Një ndryshim thelbësor është edhe në pankina, pasi Juliano ka zëvendësuar trajnerin Sulejman Starova.
Nga ndeshja e fundit me Skënderbeut, në kampionat, më 27 maj 2017, të kuqtë kanë ndryshuar shumë, pasi ish-tekniku Starova fuste nga minuta e parë një 11-she krejtësisht tjetër. Nga ai ekip janë larguar Cetkoviç, Torasa, Ekuban dhe Ramadani që është hedhur në fushë si zëvendësues. Gjithashtu Kalarin dhe Atanda nuk preferohen si titullarë, ndërsa Batha dhe Trashi rrezikojnë jo pak me afrimet e verës.
Se si do të jetë ecuria e “demave” mbetet për t’u parë, por ndryshimi i shumë lojtarëve njëherësh nuk lë një shije të mirë në një skuadër të futbollit.