Partizani mjaftohet me pak, Kastrioti kujtohet vonë

Partizanit i mjafton Jasir Asani, për të koleksionuar fitoren e dytë për këtë edicion. Të besuarit e Skënder Gegës ishin dominues ndaj miqve krutan, që bënë shumë pak për të dalë me pikë nga “Selman Stërmasi”. Në një stadium të boshatisur, skuadra e Partizani gjeti golin e avantazhit dhe të ventimin e sfidës në minutën e 13-të.

Esat Mala bëri gjithçka mirë nga krahu i majtë, ndonëse tentativa e parë për të shërbyer u ndal nga mbrojtja mike, nuk ndodhi kështu në vazhdimin e aksionit, me topin që përfundoi tek mesfushori Asani, i cili me portën e boshatisur nuk e pati të vështirë që të shënonte. Pak minuta më vonë ishte sërish Mala që kishte një mundësi për të shënuar, por e majta e tij nuk përfundoi në portën mike.

Gojkoviç për pak sa nuk prishi gjithçka me një top të kthyer pas në mënyrë të gabuar, por Rahim nuk u tregua i saktë edhe pse kishte të gjithë kohën që i duhej për të goditur. Në fraksionin e dytë skuadrat për minuta të tëra e zhvilluan ndeshjen në mesfushë, duke mos krijuar raste të rrezikshme për gol. Vetëm 5 minuta para fundit të kohës së rregullt ishte kapiteni Lila, i cili ju afrua golit të barazimit, pas harkimit nga një goditje këndi, por tentativa e tij shkoi pak mbi portën e Hoxhës. Edhe Atsina kishte një mundësi të mirë pak sekonda më vonë, por ndërhyrja e Gojkoviç ishte vendimtare.

Partizani me këtë fitore arrin në kuotën e 6 pikëve dhe pozicionohet menjëherë pas kryesuesve të Skënderbeut dhe Flamurtarit. Vjen suksesi i dytë radhazi për kryeqytetasit, që mjaftohen me pak ashtu si një javë më parë. Në anën tjetër Kastrioti pëson humbjen e dytë radhazi dhe ndodhet në vendin e gjashtë (provizorisht) me vetëm tre pikë.

Partizani 1-0 Kastrioti

Shënues: Asani 13′

GOLI

13’ – Mala tregohet i saktë me pasimin e tij nga e majta, duke gjetur në anën tjetër Jasir Asanin, i cili nuk gabon me portën e boshatisur!

KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 3
E shtunë, më 1 shtator, ora 19:45
Stadiumi “Selman Stërmasi”, Tiranë (Pa tifozë)

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Gojkoviç, Belica, Kalari, Trashi, Hila (Bardhi 63′), Telushi, Mala, Asani (Kodra 70′), Hebaj (Mensah 54′). Trajner: Skënder Gega. Të gatshëm: Xhika, So Hyon, Atanda, Bitri.

Kastrioti: Kuka, Husein, Lila, Stijepoviç, Domgjoni, Çutra, Shehu (Caca 54′), Mziu, Rogjer (Atsina 65′), Bardhi, Rahim (Vatnikaj 73′). Trajner: Elvis Plori.  Të gatshëm: Paja, Ymeri, Shehi, Mulaj.

Gjyqtarë: Emirjon Sino, Enea Pashaj, Nuri Rrapaj, Kreshnik Cjapi.

Delegat: Astrit Maçi. Vëzhgues: Besnik Kaimi.

Karton i verdhë: Kalari 87′ /Çutra 73′

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *