Partizani mendon për të ardhmen, merr në skuadrën e parë sulmuesin shkodran

Nga Endri Cinari

Shkodra ka qenë gjithmonë një fidanishte për mbarë Shqipërinë përsa i përket sportistëve të cilët kanë shkëlqyer jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Patjetër në këta sportistë, ata që shpesh përmenden janë futbollistët që kanë lënë gjurmën e tyre brez pas brezi. E Shkodra është e para gjithmonë përsa i përket sportit të futbollit.

Talente të panumërt ndër vite që kanë bërë emër kanë dalë nga krye qendra e veriut. Dhe patjetër edhe në vitet e dekadat e fundit ka dhuruar emra prestigjozë të futbollit. I radhës duket se është Nebi Qokthi. Futbollisti shkodran, i cili prej dy sezonesh është pjesë e Partizanit, është shndërruar në lojtarin kryesor të të kuqve në moshat U-19.

I ditëlindjes 16.08.2006, pra vetëm 18 vjeç ku i ka mbushur para më pak se dy muajsh, Qokthi ka rënë në syrin e “demave” të kuq. Së fundmi lojtari i cili aktivizohet si sulmues i majtë kryesisht, por që mbulon edhe rolin e mesfushorit pas sulmuesit apo edhe atë të sulmuesit kryesor është bërë pjesë e stërvitjeve të ekipit të parë. Trajneri Veslinoviç dhe stafi i tij kanë vlerësuar potencialin e shkodranit.

Duke e afruar kështu në ekipin e parë për të zhvilluar stërvitje e patjetër për të shikuar më nga afër një prej të cilëve mund të cilësohet si futbollisti i së ardhmes. Qokthi, prej 2 vitesh është një lojtar i kryeqytetasve dhe në këtë sezon ai është emëruar edhe kapiten i ekipit U-19, duke u shpërblyer kështu edhe për performancat e sezonit të kaluar, ku ishte një ndër elementët më të spikatur, jo vetëm tek Partizani, por në gjithë kampionatin e U-19.

Karrierën e tij si shumica e fëmijëve shkodranë e ka nisur tek akademia Vllaznia ku djaloshi ka qëndruar nga viti 2013 deri në vitin 2021. Më pas ai ka kaluar në radhët e akademisë së njohur në vendin tonë, asaj të Shkëndijës së Tiranës në vitin 2022. E tashmë prej dy vitesh pjesë e Partizanit, ku me 17 herë kampionët e vendit duket se po hedh hapat e parë drejt futbollit profesionist.  /Sport Ekspres/