Çdo vit kemi dëgjuar të njëjtin refren në skuadrën e kuqe. Para nisjes së sezonit të ri ishte sërish zyrtari i kuq Genc Tomori që përsëriti fjalinë e famshme: “Shpresojmë dhe besojmë se ky do të jetë viti i Partizanit!”. Në fakt, tifozët janë lodhur me këto deklarata dhe nuk duan më oratori, por vepra në fushën e lojës.
Ekipi i “demave” vjen në këtë sezon me pak ndryshime. Ndryshe nga vitet e tjera kur prekeshin shumica e lojtarëve, këtë prag sezoni nuk ka ndodhur diçka e tillë. Të vetmit titullarë që janë larguar janë kapiteni Idriz Batha dhe mbrojtësi Arbnor Fejzullahi. Ky i fundit, po ashtu si Kotobelli nuk ishin titullarë fiks në sezonin e kaluar, i pari prej dëmtimeve, i dyti për shkak të preferencave të trajnerit.
Sivjet, “demat” kanë bërë disa afrime cilësore. Sulmuesi Rubin Hebaj dhe sulmuesi i dytë, Emanuel Mensah janë afrimet e reja të të kuqve. Pa harruar So Hyon-Uk-un e afruar së fundmi, por mesfushori nuk do të luajë sot, pasi ka vetëm 1 ditë stërvitje. Në kampin e kuq shpresojnë që kampionati të nisë mbarë dhe ky të jetë viti i tyre, pasi kanë punuar mirë dhe pa u ngutur.