Fundi i ndeshjes mes Bate Borisovit dhe Partizanit ishte i hidhur. Jo vetëm për tifozët e Partizanit, por edhe ata shqiptarë në përgjithësi. Të gjithë e përjetuan këtë 90 minutësh që ishte i çmendur për mënyrën sesi rrodhi, ndërsa përfundimi…dramë!
Bjellorusët fituan 2-0 dhe kaluan më tej. Për këdo që nuk e pa këtë takim, ka menduar me vete: “Histori e mbyllur, si gjithmonë, mundemi”. Ndoshta me jo pa të drejtë! Nga ana tjetër, fusha e lojës tregoi një dominim total të Partizanit dhe me shpërdorime rastesh që ishin për të vendosur duart në kokë.
Bate Borisov doli kampion në Bjellorusi pasi dy vendet e para u dënuan nga UEFA për trukime ndeshjesh. Për këtë arsye, Bate Borisov, që e mbylli kampionatin në vendin e tretë, përfundoi në vendin e parë, me titullin kampion dhe me vendin e Champions League.
A ishte vërtet fati ai që i mungoi Partizanit ndaj Bate Borisov? A ishte vërtet Partizani i Zekic në nivelin më të lartë sa e sfumoi Baten, apo kundërshtari ishte…i pafuqishëm? Me siguri që në ndeshjet e tjera, bëjmë mirë që të mos shohim letrën dhe historinë.
Dukej se edhe vetë lojtarët e Partizanit nuk po e besonin që po krijonin aq shumë raste ndaj Bate Borisovit dhe nga momenti në moment prisnin që të shihnin atë skuadrën që e kanë parë në Champions League shumë vite më parë, gjë e cila nuk ndodhi kurrë.
Po ashtu siç bëri Ballkani i Ilir Dajës. Me një Ludogorest që është një nivel shumë herë më i lartë se Bate, Ballkani nuk ngurroi që ta sulmonte dhe t’i shënonte dy gola. Lëshimi i terrenit në disa momente krejtësisht të evitueshme, me një kundërshtar që nuk kishte asgjë për t’u trembur, tregonte frikë për atë që mund të ndodhte më vonë. U pa qartazi në mesin e pjesës së dytë, kur lojtarët shqiptarë nisën të shtriheshin në tokë pas një dëmtimi duke fituar më shumë minuta se duhet, pa i dhënë energji lojës kur Bate ishte e pafuqishme dhe po qëndronte në mbrojtje.
Në një moment dukej se te Partizani do të kënaqeshin edhe me barazimin, për ta vazhduar lojën në shtesë. Por mjaftoi një gol i shënuar nga rivali, me një gjuajtje të vetme, që Partizani të zgjohej dhe të kuptonte se në fakt po luante me Baten e 2023, jo atë të 2015, 2014 apo 2013.
Futbolli luhet për të shënuar dhe nëse nuk arrin të konkretizosh, është e kot t’i futesh statistikave, ato nuk do të mbahen mend më shumë se dy ditë. Mungesa e qartësisë në konkretizim dhe rastet e shumta të shpërdorura, nuk janë tregues i një fati të keq, përkundrazi, për më tepër në dy ndeshje.
Përshembull, në momentin kur Shqipëria do të përballej me Poloninë për “finalen e madhe” të Botërorit në Air Albania, Reja, me shumë eksperiencë nga Seria A, kur u pyet nga gazetarët shqiptarë se çfarë i frikësohej më së shumti, tha qartazi diçka me kaq shumë vlerë: “Nuk e di nëse do ta kemi kuptuar vlerën tonë dhe nëse e mendojmë se jemi gati për të bërë hapin e madh, se i kemi vërtet fuqitë për të shkuar deri aty”.
Pikërisht kjo i mungoi edhe sot Partizanit, lojtarët nuk ishin gati psikologjikisht për të bërë hapin e madh. Porta e Bate Borisovit dukej kaq e vogël sa edhe nëse portieri i tyre nuk do të ishte fare në kuadrat, sërish topi nuk do të shkonte në rrjetë, një kombinim do të ndodhte gjithmonë. Në çdo ndeshje tjetër të kampionatit shqiptar me të njëjtën panoramë, Partizani do të kishte shënuar të paktën tre gola, por jo kundër Bate Borisov, pasi dikur ka qenë pjesë e Champions League. Duhet të mësojmë që t’i respektojmë kundërshtarët aq sa duhet, jo më shumë. Pak shembull nga Ballkani i Dajës, meqenëse Skënderbeu i përket një kohe më të largët. Po nëse Ballkani i Ilir Dajës përballej me këtë Bate Borisov, cili do të ishte fati i bjellorusëve? Këtu mbyllet ky diskutim, koka e Partizanit tani kalon te Inter Escaldes, por kjo eksperiencë e kaluar ka më shumë mësime për të marrë sesa momente për t’u përgëzuar./Sport Ekspres/