Nderim Nexhipi ishte një prej atyre lojtarëve që do të fitonte lehtë zemrat e tifozëve të Partizanit. Një figurë e respektuar dhe e nderuar prej tyre, ndërsa me lënien e futbollit nisi karrierën e re si drejtor sportiv që e dërgojë te Kukësi. Në ditën e sotme kishte edhe një përballje me të shkuarën, teksa verilindorët arritën të fitonin 1-3 ndaj Partizanit. I ftuar në emisionin “Ora Sport”, Nexhipi kërkon që të zgjojë të kuqtë duke treguar se ka parë nivelin më të dobët prej tyre.
“Të them të drejtën ky ishte Partizani më i dobët që kemi parë deri më tani. Të paktën në ndeshjen kundër Kukësit. Ne do të tentojmë t’i marrim të gjitha ndeshjet me rradhë. Me ecurinë që ka Tirana janë mirë por që ne do të tentojmë sërish. Do të kenë një ndeshje të vështirë këtë javë dhe ne do bëjmë tonën. Gjithashtu do të kemi dhe një përballje direkt. Ndeshja jonë e rradhës është me Apoloninë në kupë dhe ne do të jemi shumë të përqëndruar.
Kemi pasur surpriza në Kupë me Besëlidhjen që eliminoi Partizanin. Duke parë ecurinë e Partizanit vjet dhe këtë vit është për tu habitur se si gjërat i shkuan në këtë gjendje që ndodhen tani. Sidoqoftë unë them që u takon atyre që janë në klub për tu marrë me këtë fakt. Kemi pasur disa lojtarë që do të na mungonin por kjo ndërprerje në njëfarë mënyre na ndihmoi për rikthimin e tyre. Vasili ka pasur një lëndim që e largon 1 muaj e gjysmë larg ndeshjeve. Nuk është në 100 përqindëshin e tij”, tha Nexhipi. /Sport Ekspres/