Partizani mbyll sot fazën, çfarë mësuam nga përgatitjet

 

Të kuqtë rikthehen në Shqipëri pas 3 javësh në Kasha të Italisë. Problemet e skuadrës, rregullat e Julianos dhe fitimi i kampionatit

Eraldo Harlicaj

Skuadra e Partizanit mbyll sot përfundimisht fazën përgatitore në Kasha të Italisë. Ekipi i “demave” me në krye trajnerin Mark Julianon dhe stafin e tij do të rinisin përgatitjet për sezonin e ri në Shqipëri. Sigurisht, kushtet nuk do të njëjta si në Itali, aty ku të kuqtë kaluan një fazë përgatitore me mjaft intensitet.
Trajneri Mark Juliano në atë çfarë ka paraqitur duket mjaft i rreptë dhe serioz në punën e tij duke fituar respektin dhe mbështetjen e të gjithë lojtarëve të tij, një situatë që nuk është parë me trajnerët e tjerë që nuk kanë gëzuar kurrë 100 për qind mbështetjen e të gjithë grupit. Tekniku italian imponon respekt nisur edhe nga karriera e tij e gjatë si lojtarë, prandaj kjo fazë në Itali ishte mjaft e rëndësishme për skuadrën e kuqe në prag të fillimit të kampionatit. Po çfarë u mësua nga faza përgatitore në Itali?

“AUTORITETI” I JULIANOS – Numri një i stolit ka filluar punën me ekipin kryeqytetas me fillimin e fazës përgatitore në Itali. Juliano po shfaqet si një trajner mjaft punëtor dhe i rreptë. Në stërvitje ka vetëm punë dhe koka të ulura. Tekniku i kuq nuk toleron vonesat dhe fjalët e tepërta, harmonia e grupit ka shumë rëndësi për të, prandaj në vaktet e ushqimeve nuk lejohen as celularët.

S’KA SENATORË – Mbase, i vetmi që nuk do të preket në formacion do të jetë Alban Hoxha. Kapiteni mund t’i ketë të sigurta të gjitha takimet dhe kjo jo për shkak vetëm të shiritit, por duke parë edhe diferencat me portierët e tjerë në ekip. Të tjerët? Juliano nuk ka graduar titullarët. Vendi fitohet në stërvitje dhe me përformancën që tregohet në fushë. Nëse në sezonin e kaluar vendi i zëvendëskapitenit Batha, Trashit, apo Vilës ishin të padiskutueshëm, nuk do të jetë kështu këtë vit. Madje, të 3 “senatorët” do të vuajnë konkurrencën e madhe në ekip.

EKIP SULMUES, 4-3-3 – Dëshira e presidentit Gaz Demi për të parë në fushën e lojës një ekip sulmues duket se do të realizohet sivjet. Juliano po mendon që të luajë me një skemë 4-3-3, pasi në të gjitha ndeshjet miqësore e ka nisur në këtë mënyrë.

RENDIMENTI I ÇANIT – Sulmuesi është “ylli” i ekipit, nisur nga CV-ja e tij dhe buja e afrimit me të kuqtë. Në fazën përgatitore në Kasha të Italisë, Çani pati probleme fizike të lidhura me dëmtimin e tij në gju, ndërsa tashmë ka nisur edhe stërvitjen me të kuqtë. Lojtari po merr formën gradualisht dhe mbetet të shihet se si do të jetë progresi i tij, megjithatë duket mjaft e vështirë ta fillojë si titullarë takimin e parë të kampionatit në “Selman Stërmasi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *