Nga Partizani, që po befason në këtë sezon, duke u kandiduar si pretedent për titullin kampion, te kriza e rezultateve e Kombëtares shqiptare, por edhe debati që ka shpërthyer në vend, rreth kërcënimit të qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama, për të mbyllur bastet sportive. Skënder Gega zbret në të gjithë fushën, duke folur për të gjitha këto tema në “Proçesin Sportiv”.
“Besoj se gjërat te Partizani kanë shkuar mirë. Në fillim kemi patur pak vështirësi, edhe unë kam patur vështirësitë e mia, pavarësisht se jam rritur në atë klub. U nevojitën pak ditë të ndanim konceptet dhe idetë për atë klub. Jam shumë i kënaqur, për mënyrën si lojtarët sillen në fushë dhe jashtë, dhe sa e kuptojnë domethënien e atij klubit. Kjo është shoqëruar me rezultate të mira”.
“Shpërthimi i Bardhit, Malës dhe Asanit? Kanë qenë aty. Ne si staf dhe klubi duam, që këta djem të kenë një jetë më të mirë në sport. Jam jashtëzakonisht i lumtur që po luajnë mirë dhe të kenë një të ardhme më të mirë. Dëmtimi i Hoxhës? Fatmirësisht morëm përgjigjen e rezonancës dhe nuk do të qëndrojë gjatë jashtë fushave. Është një lojtar i rëndësishëm në fushë, një lider. Aktualisht do të vazhdojë terapitë intensive, nuk e dimë kur do të kthehet, por shpresojmë të jetë në ndeshjen me Skënderbeun (më 26 tetor)”.
“Presion? Prej javës së dytë më pyesin, nëse ky Partizan është për kampion. Por, kampionati është vërtetë shumë i fortë. Presioni te Partizani ka ekzistuar gjithmonë, prej kur isha lojtar dhe dilnim në nxehje. Megjithatë, jam me fat, që të paktën nga njerëzit, të cilët e drejtojnë këtë klub, nuk kam asnjë presion. Personalisht edhe në miqësore, kundër vëllait tim, kam dashur të fitoj. Është garë, dhe në garë ka presion, e cila në fund fitohet nga ai, që kujdeset edhe i menaxhon situatat më mirë”.
Ish-trajneri i përfaqësueses së 19-vjeçarëve dhe Shpresave, foli edhe për momentin e vështirë të Kombëtares: “Për mua është shqetësuese, ose mund ta them ndryshe, duhej të ishte më e qartë filozofia e trajnerit. Por, duhet të kemi durim. Çdo njeriu i jepet shansi i tij. Kjo Ligë e Kombeve është shumë e rëndësishme, duhej të ishim paraqitur më mirë, por nuk duhet të jemi edhe kaq pesimistë. Goli i parë i pësuar është i pafalshëm. Ishte një mungesë totale e vëmendjes, sidomos e dy qendrave të mbrojtjes”.
“Në ndeshje ndodhin gjithmonë gabime, por që në këtë rast peshoi shumë. Ishte një përgjumje. Në lojë, si goli i parë, ashtu edhe i dyti ishin momente që edhe mund ti eliminonim. Këto dy gabime ishin fatale që na ndëshkuan në humbjen e ndeshjes dhe në eliminim. Pjesa tjetër e lojës, duhet të jemi të sinqertë që nuk foli për Izraelin, pasi Kombëtarja krijoi volum loje dhe raste për shënim”.
Në fund, trajneri i Partizanit, që vitet e fundit, më së shumti ka jetuar dhe punuar jashtë Shqipërisë, nga Amerika në Kuvajt, foli edhe rreth debatit të ngritur së fundmi në Shqipëri rreth basteve. Për deklaratat e kryeministrit Rama, se pikat e basteve sportive do të mbyllen, trajneri tha: “Varet sa e fortë është qeveria jonë. Por, bastet sportive duhet të menaxhohen nga shteti, nëpërmjet taksave, ku përfitimet prej tyre duhet më pas të investohen në futbollin shqiptar”.