Nuk e di nëse në italisht tingëllon si në shqip, por “koha duket që në mëngjes”, tingëllon shumë saktë edhe në shqip. Ca më shumë koha e bukur. Partizani që në minutat e para të debutimit në sezonin e ri i dha shenjat se ka diçka që nuk shkon. Lojë apatike, pa agresivitet dhe mbi të gjitha pa cilësi dhe çka është më e rëndësishme në futboll… pa gol. Një skuadër e tërë e ndërruar mund të jetë një shkak, por jo një alibi, sepse ishte gjithë koha e mjaftueshme që në merkato të ndërhyhej me sukses. Hoxha i pezulluar për çështje disipline, Malota i dëmtuar, Ramadani që iku në Danimarkë, Cetkoviçi u largua për te Mladosti dhe Ekubani te Lidsi në Angli. Kjo ishte praktikisht skuadra që dhuroi aq shumë emocione një vit më parë. Pasditen e parë të sezonit të ri jo.
0-2 kundër Laçit, i cili në mos e ekzagjeroi, meritoi patjetër minimumi një pikë dhe nuk vodhi absolutisht asgjë. Deri sa shënoi Laçi, Partizani ishte dremitja e këndshme e pasdites, që u zgjua disi vetëm nga një goditje dënimi e Sukajt, një nga ato që Sukaj i krijon vend e pa vend. Më pas, një reagim normal për një skuadër pretendente në fushë, derisa vjen dhe goli i nokautit. Laçi ka të drejtë të festojë. Është krejtësisht ndryshe nga një vit më parë. 11 ndeshje miqësore, 4-5 blerje cilësore dhe një luk i ri. Kur shpëtoi vitin e shkuar, ku vetëm nëse bashkohej matematika dhe zoti mund t’ia dilte, këtë radhë ambicia është për diçka më lart. Europa nuk është një term i panjohur për ta. Kanë shkuar 4 herë në 7 vitet e fundit.
Për t’iu kthyer Partizanit, më shumë se sa humbja rëndojnë dy elementë: loja aspak joshëse dhe çka ndodh brenda grupit. Batha lihet për herë të parë në stol pas 3 vitesh si protagonist, ndërsa Hoxha ndëshkohet për mungesë disipline. Dhe kur kapiteni dhe zëvendëskapiteni marrin këtë mesazh, atëherë diçka realisht po ndodh në dhomat e zhveshjes.
Opinionet e javës së parë mund të jenë subjektive dhe patjetër pa ndonjë perspektivë bindëse. Partizani ka sigurisht mundësi të kthehet. Ku ka më bukur, Partizani-Kukësi javën e ardhshme.
Gjergji Stefa