Barazim pa gola mes Partizanit dhe Skënderbeut, pikë që i vlen shumë pak Partizanit, më shumë Skënderbeut. Në “Selman Stërmasi” skuadrat kanë ndarë pikët mes tyre, në një barazim që i shkon për shtat Kukësit, që zvogëlon diferencën me Skënderbeun para përballjes direkte. Në një ndeshje të vakët për sa i përket rasteve, Partizani ishte disi më kërkues, ndërsa Skënderbeu nuk hoqi dorë nga fitorja në fraksionin e dytë. Për t’u përmendur goli i anuluar i Gerhard Prognit në minutën e katërt, por që u anulua për pozicion jashtë loje.
Spektakël nga ana e Guerrilsave, që kishin mesazhe për Moxhin, Starovën dhe presidentin Demi. Skënderbeu e sheh veten sërish të qetë në krye, ndërsa Partizani nuk ngjall dot shpresën e titullit, por tashmë duhet t’i bëjë hyzmetin Kupave të Europës.
Partizani duhej të fitonte, për shumë arsye, por nuk ia doli, sidomos për faj të vet, sepse rastet i pati. Emblematike rastet e Trashit dhe Sukajt, të dy të vetëm në zonë, por të dy gabuan. Trashi nga një pozicion i shkëlqyer gjuajti jashtë, ndërsa Sukaj me të djathtën në shtesë pasoi te Orges Shehi.
Për Skënderbeun një pikë është mirë, duke pasur parasysh rivalin, por një Partizan më të dobët se ky kishte vite që nuk e haste.
E hënë, më 27 nëntor, ora 17:00
Stadiumi “Selman Stërmasi”
Partizani 0–0 Skënderbeu
Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Atanda, Malota, Kalari, Batha, Vila, Asani (Kotobelli 72′), Trashi, Progni, Bardhi (Sukaj 82′). Trajner: Klevis Dalipi. Të gatshëm: Xhika, Krasniqi, Sulejmani, Fili, Adorjan.
Skënderbeu: Shehi, Taku, Radas, Aliti, Mici (Jashanica 70′), Osmani (Nimaga 60′), Lilaj, Muzaka (Dita 90+2′), Gavazaj, Xhejms, Soue. Trajner: Ilir Daja. Të gatshëm: Teqja, Shkodran, Saiti, Vangjeli.
Gjyqtarë: Eldorjan Hamiti; Ridiger Çokaj, Egin Doda, Paulin Simoni
Delegat: Besnik Çela.
Vëzhgues: Sokol Jareci.
Kartonë të verdhë: Trashi 58’/ Osmani 50′