Partizan, a nuk po ngopesh duke tradhtuar tifozët?!

Anton Cicani

Është ora 01:00 e mëngjesit dhe normalisht duhet të isha në gjumë, ose duke dalë e dëfryer (mosha ma lejon), apo duke lexuar diçka të bukur ose ose duke… “konsumuar” një film në tv, por duke qenë se jam simpatizant i Partizanit dhe kam “përjetuar” edhe turpin e Kategorisë së Dytë (e vura në thonjza fjalën “përjetuar”, sepse unë në fakt qëndroja në shtëpi ose në zyrë, ndërsa një grup djemsh guximtarë, optimistë dhe sidomos të dashuruar pas ngjyrës së kuqe, qëndronin në shi, dëborë, udhëtonin me bukë me vete, apo shpeshherë edhe detyroheshin që ta ndanin edhe atë në autobusë apo furgona, të paguar nga ata vetë…) nuk mund të hesht! Unë ndoqa vetëm disa ndeshje, më pas disa të tjera e kështu me radhë, deri sa pa pritur, Partizani u rikthye aty ku i takon, në elitë. Sigurisht, nuk mund të mungoja në atë sallë të ftohtë gjyqi, ndërsa vendosej fati i Partizanit.

Në atë sallë ishte dhe një tifoz i vjetër (në rrugë ndoshta e quanin “budalla”), që thuajse qante si fëmi teksa i lutej trupit gjykues që të mos lejonte “shkrirjen” e një klubi historik, legjendar, që sot numëron tifozerinë më të madhe në Shqipëri (ata që thonë të kundërtën, ndoshta nuk lëvizin kurrë në rrethe)… “Ju lutem zonja gjykatëse, mendoni për ne!”, i drejtohej… Nga ajo sallë gjyqi në ditët e sotme, koha ka kaluar pa e dalluar, a thua se relativiteti i Ajnshtajnit të ishte përmirësuar akoma më shumë si teori…

Sot, nga një grup prej 20-30 djemsh, tifozeria e kuqe në stadiume është 100 apo 200-fishuar, por dje, shkak dënimi, në “Selman Stermasi” ishin kolegët e mi gazetarë. Nuk mungova sepse më “përton by…”, siç thuhet trashë, por sepse që prej një ndeshje të luajtur ndaj Lushnjes (jo e fundit), kuptova se ata që luajnë për fanellën e kuqe në fushë nuk duan t’ia dinë për ata që qëndrojnë në tribuna, brohorasin, detyrohen shpesh edhe të tërhiqen zvarrë nga policia, të thahen për ujë të pijshëm dhe të durojnë… Po, po, sa shumë po durojnë… Aq shumë saqë në ndeshjen e fundit të kampionatit të përpara dy vitesh, në “Qemal Stafa”, në fund duartrokisnin ekipin e tyre nën koret e këngës “Një ëndërr e së shkuarës, një ëndërr që vazhdon…”.

Edhe disa lojtarë qanin, teksa Skënderbeu ishte shpallur kampion në Vlorë dhe Partizani kishte humbur ndaj Teutës. Pikërisht ndaj Teutës, që sërish i mund në shtëpi, por këtë herë lotët e lojtarëve janë tharë, janë kthyer në një maskaradë, në një paturpësi. Ata që shpesh kanë edhe guximin të bëjnë deklarata triumfuese, për të dhuruar në fushë një spektakël pa ngjyra, një bardhezi që nuk meriton asnjë radhë…

Titulli është kthyer në “Kimerë”, por nëse thuhet çdo vit, ky “është viti ynë”, vjen stopimi i ëndrrave, dëshirës dhe pasionit. Ata në fushë paguhen, rregullisht dhe në verë ndoshta edhe dalin për një xhiro në jugun e Shqipërisë, duke u freskuar dhe duke u zbavitur. i takon, sepse janë lodhur goxha, sepse të bësh një aktrim të bukur është një rol i vështirë, sidomos në ditët e sotme…

Ndërsa ata, tifozët, vuajnë dhe e ndjejnë veten të tradhtuar, në çdo aspekt. Ndjesa e lojtarëve, klubit apo çdokujt që i vërtitet botës “Partizani”, është thjesht një tallje më shumë. Sot, Partizani është jashtë Europës dhe synimi është të arrijë të kapë ata që i qëndrojnë më sipër. Dhe, pasi fitojnë dy apo tre ndeshje, nisin “recitimet” e zakonshme. Të gjithë fenomenë, të gjithë talenta, aq sa klubet e huaja dërgojnë çdo javë menaxherë, po për të provuar restorantet dhe ushqimin tradicional shqiptar, kurrsesi për të ndjekur ndeshjet që ofrohen.

Natyrisht, disa edhe japin shpirtin, e ndjejnë peshën dhe në fund dalin kokulur, por të tjerë i gjen në kafe, në klube nate dhe në rrjetet sociale. Aty po, janë fenomenë, kanë fituar tituj radhazi, aq sa tani synojnë edhe Champions.

Ndërkohë, tifozët e vërtetë, vuajnë… Shfryjnë në rrjetet sociale, aty ku kanë mundësi. “Federata kundër, arbitrat kundër” janë një alibia e vetme e klubit, që po e mban ende larg revoltës së popullit të kuq, që po mbushet e mbushet nga brenda, deri kur të vijë dita e madhe të shpërthejë. Dhe, atëherë, të jeni të sigurt, gjyqi i vërtetë do t’i bëhet drejtuesve dhe lojtarëve, edhe më i ftohtë se ai që përpara disa vitesh mbajti Partizanin “gjallë”…

4 thoughts on “Partizan, a nuk po ngopesh duke tradhtuar tifozët?!

  1. Gazetar tifoz me Partizanin… gjeja me e zakonshme ne shqiperi. Ballina e faqe se sportexpresit me nje artikull te tille… nje gazetar tifoz qe qahet…
    Partizanin mundet ta denonconi ne UEFA, sic tashme u be rruge! Qendisjani nje leter!
    Gjynah!

  2. –ME TEUTEN NJE PARTIZMOM AMATORESK ME –DESHIRE–PER TE HUMBUR—.E MREKULLUESHME KUR HUMBJA SHIJON DUKE MBUSHUR XHEPAT E UDHEHEQSVE PARTIZONAS ME NE JRYE–JRUETIFOZIN PROFESIONIST –ERION BRACENN–QE NE FSHEHTESI I BEN GJEMEN PARTIZMOMIT TE VET–VETEM PER TE MBUSHUR XHEPAT ME DISA MIJRA EURO ME SHUME–PASI ATO QE KA –NUK I MJAFTOJNE–AUTORI I KRIMIT TE DHESHEM KA VETEM NJE EMER–ERION BRACE-..

  3. Gazetari i pavarur cicani ? i paska shkruajtur nekrologjine ekipit te krijuar me vkm pra cicani duhet ta dije cdo te thote vkm per me teper ne 1946. Ne bote ekipet ideologjike dhe te mbeshtetura e krijuara nga politika si partizani dhe dinamo kane kohe qe kane dale jashte loje nderkohe qe ketu cicani po qan per situaten e partizanit. Perse nuk thote cicani se drejtor teknik eshte vellai i kryeministrit dhe nje nder tifozet me te thekur nje nder beniaminet politike te kryeministrit qe nuk le rast por edhe cakmak pa perdorur po nuk fitoi ekipi i vkm. Tirona eshte ekipi i tradites i qytetit i krijuar nga djaleria tiranase dhe jo vetem dhe keto ekipe duhen mbeshtetur dhe jo ekipet e krijuara me motive dhe vendime politike gazetari i pavarur cicani

  4. Humbje e madhe per tifozet e Partizanit. Vazhdoni perdorni mediat tuaja duke shpifur dhe dergoni anonome ne UEFA ,por kete here per veten tuaj,jo per Skenderbeun . Njerez pa dinjitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *