Me datë 21 qershor nis Kupa e Afrikës dhe një nga surprizat e këtij kompeticioni është Burundi. Kombëtarja e një prej 10-të vendeve më të varfra në botë shkroi historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në Kupën e Afrikës.
Gëzim i madh për popullin dhe tifozët, por Burundi rrezikon pjesëmarrjen! Federata vendase ka një fond të limituar dhe po has probleme të mëdha financiare për të qenë gati për në verë.
Reverien Ndikurijo ka organizuar një konferencë të veçantë për shtyp. Presidenti i Federatës së vendit afrikan ka kërkuar ndihmën e të gjithëve për të mundësuar pjesëmarrjen e ekipit në këtë turne. Shuma që nevojitet është vetëm 290 mijë euro. Federata ka një fond që nuk mjafton dhe ka vendosur të kërkojë ndihmën e njerëzve dhe vetë shtetit.
“Për momentin kemi një fond prej 177 mijë eurosh, por nëse llogarisim biletat e avionit dhe shpenzime të tjera… Është shumë e rëndësishme që kush ka mundësi, përfshirë edhe shtetin, të na japë një dorë. I falënderoj të gjithë ata që kanë festuar kualifikimin tonë dhe të gjithë ata, të cilëve po ju kërkojmë ndihmë. Kemi hapur një llogari bankare, nëpërmjet së cilës njerëzit mund të na ndihmojnë”, thekson Ndikurijo për mediat vendase.
Shuma nuk është aq e madhe sa për të rrezikuar pjesëmarrjen në Kupën e Afrikës, por për Burundin është shumë. Ylli i ekipit është Saido Berahino, 25-vjeçari i Stok Sitit. Lufta civile detyroi familjen e sulmuesit të largohej nga vendi kur ky i fundit ishte vetëm 10 vjeç. Ai ka luajtur për të gjitha përfaqësueset e moshave të Anglisë, ndërsa në fund zgjodhi të përfaqësojë vendin e tij të lindjes dhe origjinës. Pjesë e rëndësishme e Burundit është edhe ish-lojtari i Tiranës, Selemani Ndikumana.