Apolonia e Orikumi janë ndeshur sot në një miqësore që ishte si provë e përgjithshme për të dyja ekipet, që do të ndeshen me njëri-tjetrin edhe në kampionatin e Kategorisë së parë. Përfundoi 1-1, një rezultat që kënaqi të dyja palët, pasi prioritet ishte loja dhe eksperimentet e trajnerëve.
Apolonia është një ekip që si gjithmonë do të besojë shumë tek të rinjtë dhe rezultatet nuk i mungojnë, edhe pse në Fier ka zhgënjim për faktin se Superiorja nuk arrihet prej vitesh.
Në krahun tjetër, Orikumi më në fund ka realizuar ëndrrën e vet për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë. Pas disa vitesh punë të shkëlqyer, ka ardhur hapi i madh dhe tani synohet paraqitje dinjitoze në nivelin e dytë të futbollit shqiptar.
Miqësorja e sotme përfundoi në barazim 1-1, me Apoloninë që shënoi në pjesën e parë me Monen, ndërsa Hazizaj barazoi për Orikumin nga pika e bardhë sapo nisi pjesa e dytë.
Një paraqitje e mirë për Orikumin, që tregoi se është në rrugën e duhur, por ishte një sfidë e luajtur me ritëm të ulët dhe ku u provuan të gjithë lojtarët, ndaj rezultati ishte dytësor.