Panuçi “zien” dhe sulmon lojtarët: Me disa do isha zënë me grushte, më tregoni krenarinë për fanellën!

Një konferencë surprizë për të argumentuar zgjedhjet e tij për miqësoren me Jordaninë dhe ndeshjen zyrtare të Ligës së Kombeve në Izrael. Ndryshe nga sa ishte parashikuar, trajneri i Kombëtares shqiptare, Kristian Panuçi u shfaq në mënyrë surprizë përpara mediave, ndërsa fjalët ishin të zjarrta. Nga reagimi për Abazajn, mesazhi për të cilin ishte “shtrëngo b… dhe luaj te Anderlehti” te fjalimi që do të mbajë përpara ekipit në këtë grumbullim. “Do të flas me lojtarët të kuptoj sa vlen Kombëtarja për ata. Dua të më tregojnë krenarinë!”.

Është një konferencë jashtë axhendës, ka ndodhur diçka jashtë normales?
Jo përse, është konferenca përpara grumbullimit. Nuk ka ndodhur absolutisht asgjë. Duhej ta bënim nesër, sepse federata e ka bërë zakonisht, një konferencë përpara grumbullimit, por zgjodhëm në minutën e fundit ta bënim sot, edhe sepse kemi punë për tu bërë.

Duke qenë se luhen ndeshjet e kampionatit shqiptar dhe konferenca është mes tyre, gjithashtu prej faktit se nuk grumbullohen lojtarët e Superiores, a ka një koment nga trajnerit rreth opinionit se lojtarët e kampionatit nuk kanë vend në Kombëtare? Çfarë mendimi ka Panuçi për Superioren?
Nëse ka pak lojtarë të kampionatit që vijnë në Kombëtare, do të thotë pak. Unë e ndjek kampionatin nga Italia, ndihmësit e mi më sinjalizojnë për çdo element. E ndjekim kampionatin dhe nëse ka ndonjë lojtar të vlefshëm, unë shkoj ta vëzhgoj.

Gavazaj dhe Uzuni janë grumbulluar sapo janë transferuar jashtë?
Uzuni ka pesë ndeshje me radhë që luan në Lokomotivën e Zagrebit dhe nuk kemi lojtarë me ato karakteristika. Gavazaj luan pak, nuk e di nëse i shihni ndeshjet e tij, por në fundjavë u aktivizua në minutën e 90-të. E pritëm Uzunin për pesë ndeshje që ta grumbullonim. Lojtarët shqiptarë nëpër europë luajnë pak. Nëse ka lojtarë interesantë të kampionatit shqiptarë, siç ishte rasti i Gurit i grumbulloj.

Abazaj tha që vetëm Panuçi nuk është interesuar për gjendjen e tij?
Sa ka që nuk luan?! U bënë katër muaj që nuk po luan. Pretendon të vijë në Kombëtare?! Këta nuk janë në terezi. E takova jashtë stadiumit dhe më tha: Sa shumë punohet, nuk ia dal dot më. Njerëzit këtu mendojnë se Kombëtarja është një vend pune… a jeni në terezi. Ka katër muaj që nuk luan dhe i vjen keq që nuk vjen në Kombëtare. Mendoni, unë të dielave nuk e shoh në stol dhe në Europa League nuk është as i grumbulluar. Duhet të shtrëngojë b… Katër muaj pa luajtur dhe pretendon të vijë në Kombëtare.

Në dy ndeshjet e para ekipi ka shfaqur dy fytyra të ndryshme, mund të jetë kjo në Izrael një finale e vogël për Panuçin?
Është një ndeshje shumë, por shumë e rëndësishme. Uroj që lojtarët të kenë dëshirë të madhe të fitojmë. Me Izraelin, shënuam prej fillimit, por edhe mund të humbasim. Por, në Skoci pësuam gol nga goditje këndi, nga një gabim që duhej evituar. Prej një muaji në shtëpi mendoj për diçka që e kalon futbollin: sa e rëndësishme është Kombëtarja për futbollistët. Do të pyes lojtarët: Çfarë do të thotë për ju Kombëtarja. Sepse për disa nuk ka problem nëse fitojmë apo humbasim. Por, mua nuk më shkon për shtat. Kjo më shqetëson. Luajmë për Europianin, duhet të fitojmë me Izraelin dhe më pas me Skocinë, ndërsa rivalët tanë të bëjnë diçka ndaj skocezëve. Por, duhet ti pyes disa futbollistë se çfarë është Kombëtarja për ata.

Një plan për rezultat pozitiv, ndoshta duhet ndryshuar diçka për ndeshjen në Izrael?
Kemi pesë ditë për të përgatitur ndeshjen. Nuk gjej asnjëherë justifikime. Nga ndeshja me Norvegjinë na mungon minimalisht 50 për qind e skuadrës, me emra si Sadiku, Roshi, Abrashi, Lila apo Mavraj që nuk luante prej nëntë muajsh. Nuk jemi Brazili, nuk kemi lojtarë kaq të mëdhenj. Nuk kemi Mesin apo Nejmar. Për të shkuar në Europian duhet të bëjmë diçka të jashtëzakonshme. Ndaj Ukrainës dhe Kosovës na mungonin 12 lojtarë. Rikuperojmë Mavrajn dhe Grezdën, që në ndeshjen ndaj Jordanisë duhet tu jap minuta. Duhet të ndryshojmë diçka, sepse nuk kemi shumë kohë në dispozicion dhe do të kërkojmë të shënojmë.

Izraeli ndeshje më e rëndësishme se Jordania, ndoshta miqësorja do të vlerësohet si provë gjenerale përpara takimit në Ligën e Kombeve?
Duhet t’u japim minuta Mavrajt, Gjimshitit, Grezdës, Binakut, sepse kur jam në shtëpi të shtunën dhe të dielën, shumë lojtarë nuk luajnë. Këta lojtarë duhet të marrin 45 minuta apo një orë lojë. Më duhet të mendoj edhe formacionin që do të hedhim në fushë në ndeshjen zyrtare. Jam i sigurt se skuadra, e cila do të luajë në Izrael do të jetë e fortë dhe kjo na jep besim. Ndaj Jordanisë duhet të fitojmë, nuk jemi as Brazili dhe as Franca. Duhet shumë seriozitet dhe profesionalizëm. Në këtë vend dikush duhet të ma tregojë krenarinë se çfarë do të thotë të veshësh fanellën e Kombëtares. Sepse më pas është e thjeshtë që fajin t’ia hedhin Panuçit. Më duhet të shoh nga disa lojtarë, se çfarë do të thotë për ata Shqipëria. Nëse luajmë në gjysmëfinalet e Champions dhe më pas vjen angazhimi me Kombëtaren, mund të ketë disa lojtarët të pamotivuar. Për mua Kombëtarja është maksimumi! Të jeni të qetë, sepse e respektoj shumë Shqipërinë.

Së fundmi pësojmë shumë gola, si mund ta përmirësojmë mbrojtjen?
Është e vërtetë, por është një punë skuadre. Kur kalojmë në avantazh, më pas pësojmë më pak. Kjo ndodhi me Turqinë dhe Izraelin. Uroj që Mërgimi të jetë në gjendje të mirë, sepse është i rëndësishëm. Kam disa lojtarë në mesfushë, por më duhet paksa më tepër kualitet. Pësojmë shumë, por në Skoci pësuam nga goditje këndi dhe sapo e ndryshuam mbrojtjen me tre lojtarë. Skuadra ka më tepër nevojë për zemër dhe po mendoj të bëj diçka rreth kësaj çështje.

Deklaruat se grupi nuk ka shumë motivim, por është i njëti që na dërgoi në Europian?
Sapo erdha në dy ndeshjet e para, njërën e fituam dhe tjetrën e barazuam në Maqedoni. Luajtëm në Spanjë dhe Lopetegiu na komplimentoi, ndaj Italisë deri në minutën e 80-të ishim perfektë. Me Norvegjinë na munguan gjashtë lojtarë dhe pësuam gol nga goditje këndi, diçka që duhet ta shikojmë dhe ta ndryshojmë. Ndaj Ukrainës dhe Kosovës më mungonin 11 lojtarë dhe 7 ishin me pushime prej 25 ditësh. Nëse do ti kem të gjithë lojtarët, mund të bëjmë diçka. Nëse na mungon një lojtar, duhet të gjejmë zgjidhje. Nuk duhet të mendojmë për shortin e 2 dhjetorit dhe çfarë do të na rezervojë, por tani duhet të mendojmë të fitojmë grupin e Ligës së Kombeve. Nëse do të isha lojtar, do të isha zënë me grushta me dikënd, por tani që jam trajner më duhet ti menaxhoj situatat.

Është e vështirë të zgjedhësh një kapiten, sepse në disa raste vendosin lojtarët cili do ta mbajë shiritin… A po kthehet në kaos kjo çështje?
Për mua më e rëndësishmja është të kthehen të gjithë lojtarët. Por, nëse federata më thotë duhet një kapiten, duhet të shoh një lider dhe do ti jap shirtin. Por, do ta vendos unë. Kam dëgjuar që trajneri nuk i lejon lojtarët të qeshin. Ata qeshin, bisedojnë, nuk i kam kontrolluar asnjëherë në dhoma. Unë nuk jam diktator, edhe pse disa duan që të dukem i tillë. Nëse lojtarët do të vijnë te unë dhe të më thonë, mister duam që ky të jetë kapiten, dikush duhet ta tregojë se e meriton.

Kapiteni mund të ishte krahu i djathtë?
Ata janë asistentë e mi, Kaseti dhe Bulku. Por, Maraj është një lojtar me personalitet dhe shumë i rëndësishëm, por duhet të jesh edhe lider në fushë. Kam zgjedhur të veproj kështu. Dua që lojtarët të më duan. Dëgjoj edhe se dikush ankohet nuk luan në Kombëtare, por ata nuk luajnë në klube. Këto lajme i thotë dikush i jashëm, që ka ndikim te lojtarët dhe që merret me ata. Nuk jam budalla, i kuptoj gjërat, ashtu si ndodhi pas Skocisë, ku dikush i telefonon Berishës përse nuk luan Strakosha dhe më pas i telefon Strakoshës përse nuk luan Berisha. Imagjinoni si do të ishte po të veproja si Luis Enrike te Spanja, që u heq lojtarëve telefonin në mëngjes. Të jeni të sigurt që lojtart do të kenë të gjithë komoditetin për të punuar dhe qëndruar në Kombëtare.

A varet e ardhmja e Panuçit te Shqipëria nga këto tre ndeshje?
Këtë duhet tia kërkoni presidentit Duka. Nuk e di, unë punoj shumë i qetë dhe mendoj se kam sjellë seriozitet dhe profesionalizëm. Edhe pse dikush thotë se nxehëm, unë mendoj se i sjell profesionalizëm Shqipërisë, nuk di rrugë tjetër. Uroj vetëm të rikuperoj të gjithë lojtarët. Kur na mungon 50-60 apo 70 për qind e ekipit, e kemi të vështirë. Mund të vendosni edhe Murinjon, Guardiolën apo Sarrin… kë të doni. Edhe ata do ta kishin të vështirë.

Ndoshta Panuçi është i lodhur, ndoshta largoheni?
Nuk largohem. Jam shumë i kënaqur dhe i lumtur që drejtoj Shqipërinë. Thjesht i dua të gjithë burrat e mi në luftë. Më pas, nëse presidenti vendos që duhet të largohem, unë iki. Futbollin e lashë kur kisha edhe dy vjet kontratë, hoqa dorë nga paratë. Unë deri në ndeshjen e fundit do të jem gjithmonë profesionist. Fle i qetë sepse mendoj 24 orë në 24 veçse për Shqipërinë, jam tejet i përkushtuar. Mund të gaboj, ndoshta duhet të përmirësohem, por në fund të fundit të gjithë duhet të përmirësohen.

Ndryshimet gjatë lojës, me mbrojtjen që kalon me tre qëndrore dhe dy nga krahët, a është momenti që ndaj Jordanisë të provohen skema të tjera, që lojtarët të jenë më të përgatitur?
Nëse Zahavi na shënon menjëherë, do të jetë e vështirë edhe me Izraelin. Kemi bërë tre gabime në mbrojtje. Nëse na shënojnë dhe nuk fitojmë në Izrael, atëherë do të thoni që gaboi trajneri, ndërsa skuadra luajti mirë. Kjo ndodhi në skoci, ku pësuam gol shumë shpejt, por historia mund të kishte ndryshuar nëse Balaj do të barazonte. Prandaj them që dua të shoh reagimin e lojtarëve të mi. Kur luan në Kombëtare duhet zfaqur zjarri dhe në stol mund të jetë kushdo, unë asistentët e mi apo edhe trajnerët më të mëdhenj. Për ta mbyllur, jam i bindur se këta lojtarë mund të bëjnë më shumë. Me këta 23 lojtarë që grumbulluam, mund të shkojmë në Izrael dhe të fitojmë. Më pas do të shohim se çfarë do të ndodhë, kur të rikuperojmë të gjithë lojtarët e tjerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online