Rrëfimi i trajnerit të kombëtares shqiptare: Nga kuqezinjtë, te Seria A, duke prekur Romën e Milanin, Kristian Panuçi flet për gjithçka
Italia është në vorbullën e ciklonit të dështimit, me një kombëtare pa trajner, ndonëse teknikë të mirë të shpërndarë nëpër botë ka sa të duash. I tillë është edhe trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi. Tekniku më i ri italian, që drejton një kombëtare jashtë vendit të tij, konsiderohet ambicioz. Mbi gjurmët e De Biazit, Panuçi kërkon të përsërisë Shqipërinë e Xhanit me kualifikimin në Europian. Ka një skuadër me lojtarë të mirë dhe tendenca është në rritje. Për më tepër, që në ndeshjen e fundit, Panuçi mundi Turqinë, por edhe mori rezultate pozitive në pesë ndeshjet e tij si kuqezi, edhe pse luante kundër Italisë e Spanjës. “Thjesht tani unë jam i kënaqur me Shqipërinë time”, shprehet Kristian Panuçi në intervistën e dhënë për mediat italiane. Ai flet gjatë për Shqipërinë, por edhe kampionatin italian, që sipas tij, është në ditët e tij më të errëta.
-Panuçi, si janë muajt e parë si trajner kombëtareje?
Shumë të bukur dhe jam i lumtur. Federata është shumë e organizuar. Investon në infrastrukturë, stadiume të rinj, punon nëpër shkolla, seleksionon lojtarë nëpër Europë. Po kontrollon me një maturi për t’u admiruar edhe ekipet “Under” dhe “peshkon” lojtarë, që mund të luajnë për kombëtaren, ndonëse nuk janë pjesë e kampionatit shqiptar. Është një skuadër që po rilind. Do ta shihni. Objektivi ynë është të qenit në Europian.
-Në krahun tjetër të Adriatikut, morali është ndryshe. Nuk ka botëror dhe “axurët” janë në pikën më të ulët të historisë së tyre…
Rënia kishte nisur prej kohësh. Në Botërorët 2010 e 2014, Italia doli menjëherë jashtë, duke mos kaluar as grupet. Rënia është e dukshme.
-Ama, tani është më keq. Dy muaj e gjysmë pas Suedisë, skuadra është pa trajner. Ju keni ndonjë emër për të sugjeruar?
Emrin duhet ta japë presidenti, i cili si fillim duhet të zgjidhet dhe që të dashurojë futbollin italian.
-FIFA e UEFA e kanë rritur peshën e lojtarëve në qeverisjen e tyre. Një tabu për Italinë?
Futbollin duhet ta bëjë, ai që di ta bëjë. Për gjëra të mëdha, situatat duhet të nisin nga dëshira për të bërë futboll dhe jo biznes. E njoh shumë mirë Damiano Tomazin. Është kompetent dhe fleksibël. Do ta votoja këtë djalë, ose ata që janë krah të tij. Në futbollin italian, figurat, që e duan futbollin nuk mungojnë, por që nuk përfshihen. Këtu e kam fjalën për Paolo Maldinin.
-Nuk është në orbitën e klubit, ndonëse nuk luan futboll prej 2009-ës?
Nuk e kuptoj që një lojtar si Paolo Maldini është jashtë xhiros së futbollit të madh. Kjo do të thotë se nuk duan që gjërat të bëhen në mënyrën e duhur.
-Cili do të ishte vendimi juaji i parë, nëse merrni drejtimin e federatës?
Nga ndërtimi i ekipeve të dyta. Një vendim urgjent. Ka drejtorë sportivë, që ndërtojnë ekipe me nga 50 lojtarë dhe nuk duan ekipet e dyta. Këtu shihet qartë se çfarë ndodh.
-Që do të thotë?
Zidan, Guardiola, Luis Enrike, nga e nisën për të qenë në ato nivele? Nga ekipet e dyta. Ekziston skuadër në Itali, që punon tamam dhe duhet marrë si shembull. Ajo është Atalanta. Më pëlqen shumë sesi luan dhe si menaxhohet. Kënaqem kur shoh një ekip që u dhuron fanella fëmijëve që lindin në provincën e Bergamos. Kështu duhet të jetë futbolli. Duhet investuar shumë tek të rinjtë dhe Atalanta e bën këtë gjë. I mbani mend ekipet e 21-vjeçarëve ku kam luajtur edhe unë dhe që bënin gjëra të mëdha. Kishte një motiv që shkëlqenin në fushën e lojës. Punohej shumë me të rinjtë.
-Ama nuk ka kaluar një shekull…
Nëse investon në futbollin e të rinjve, paratë do të kthehen mbrapsht në një mënyrë. Nga ana tjetër, nëse investon pesë milionë për një lojtar, që nuk e njeh fare dhe të del “flop” është goxha problem. Me pesë milionët mund të bësh mrekullira, por në kohën e sotme, kjo gjë nuk ndodh.
-Spektakli i Serisë A ka rënë shumë?
Nuk është në nivelin më të lartë të tij. Shumë taktik, pa ritëm, difensiv dhe prioriteti absolut është rezultati. Juventusi na shpëton në një farë mënyre. Ka buxhet dhe mundësi për të çarë në futbollin europian dhe botëror. Nuk do të humbasë asgjë. Do të luftojë në Champions dhe do kërkojë të fitojë kampionatin. Me Napolin sulmoi dhe kaloi në avantazh, por menjëherë u kthye “në shtëpi” dhe nisi lojën klasike me kundërsulmin. Napoli luan mirë, por dështoi në Champions.
-Ka vend për të tretin e famshëm?
Unë nuk e shoh! Cili është? Napoli luan mirë, ndërsa Juventusi është potent, praktik, ekspert dhe ka maturi. Titullin, vetëm ai mund ta humbasë, sepse për vlerën teknike është skuadra më e fortë në Itali.
-Inter e Roma, sapo kanë treguar se nuk janë për titull…
Në atë ndeshje peshoi shumë, çështja, apo objektivi “Champions League”. Nëse ti luan shumë gjëra në një ndeshje, të bllokohen këmbët. Ke frikë se mos humbasësh dhe ajo dominon mbi dëshirën për të fituar. Roma e provoi, por Interi ndryshoi në pjesën e dytë. Shenjë kjo e karakterit.
-U kandiduan si ekipe për titull. Mos u mbivlerësuan?
Janë skuadra në ndërtim e sipër. Po punojnë mirë, ashtu siç po bën Luçiano Spaleti, që këtë vit vendosi të drejtojë Interin. Për titullin duhet të kesh vazhdimësi dhe nëse je një ekip në ndërtim e sipër nuk mund ta kesh këtë cilësi.
-Largimi i Xhekos nga Roma si ju duket?
-Gjatë këtyre ditëve kam menduar se Roma shet Xhekon që të mos shesë Naingolanin në qershor. Nuk është gjë e mirë, që të lësh të ikë një lojtar si ai, por te Roma janë shumë pranë Shikut. Duhet ta pranojmë se Roma gjithmonë bën bilance. Dhe për të blerë lojtarë, gjithmonë shet. Do të kisha shumë dëshirë që Roma ta fitonte titullin, por më korrekte do të ishte një kualifikim në Champions.
-Milani për Champions?
Kur ndryshon gjithë ekipin, mos prit rezultate, ndonëse prisja më shumë nga ekipi. Gatuzon e uroj nga zemra. Shpresoj që ai ta ngrejë në këmbë ekipin këtë sezon, ndonëse klubi ka pasur objektiva të tjerë. Rino është tamam burrë.
-Miku juaj i vjetër, Ueah ka një detyrë edhe më të vështirë. Tani është president i Liberisë. Duhet të ngrejë në këmbë një komb?
Realisht jam shumë i lumtur që fitoi zgjedhjet dhe u emërua president. E takova vitin e shkuar në Majemi dhe e di shumë mirë sesa e donte fitoren. Xhorxhi po tregon se ai Milan fantastik, më shumë se yje kishte njerëz të mëdhenj.
-Futbolli italiani që fitonte gjithmonë, mos do të mbetet vetëm një kujtim?
Italia gjithmonë ka ditur të çohet, pasi është rrëzuar. Problemi ynë është që të gjithë e dimë se çfarë nuk shkon, por nuk duam ta rregullojmë. Vetëm ankohemi dhe themi se jemi më të mirët, por të tjerët në fund janë ata që ecin përpara. Ne? Jemi gjithmonë atje në fund, të palëvizshëm.