Kristian Panuçi dhe Shqipëria, një marrëdhënie e cila duket e destinuar të mbyllet. Rezultatet flasin të gjitha kundër trajnerit. Vendi i fundit në grup dhe rreziku aktual i rënies një kategori më poshtë në Ligën e Kombeve, janë një dështim i Kristian Panuçit.
Për më tepër, tifozët e kontestuan ashpër në “Loro Boriçi”, pas turpërimit 4-0 nga Skocia, ndërsa presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka tani duket i bindur që ta largojë nga detyra. Miqësorja e së martës ndaj Uellsit në “Elbasan Arena” pritet të jetë ndeshja e fundit e tteknikut italian në krye të stolit kuqezi.
Megjithatë, Panuçi duket se nuk pranon të dorëzohet. Pasditen e kësaj të diele, trajneri zhvilloi një mbledhje të gjatë me skuadrën, ku i tregoi lojtarëve qëndrimin e tij. “Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen”, ishin fjalët që trajneri i tha futbollistëve të Kombëtares. Një qëndrim i pandryshuar, ashtu si pas humbjes me Skocinë.
Ish-lojtari i Realit të Madridit dhe Milanit synon të vazhdojë punën e nisur te Shqipëria. Kjo pavarësisht ecurisë së dobët dhe të gjithë faktorëve që janë kundër trajnerit. Panuçi kërkon të zbatojë kontratën, sipas të cilës parashikohet të qëndrojë në krye të stolit kuqezi edhe për kualifikueset e Europianit 2020. Pas miqësores me Uellsin, do të nisin edhe bisedimet me kreun e FSHF-së, për të zgjidhur situatën. Ndoshta për të gjetur marrëveshjen për ndërprerjen e bashkëpunimit.