Gjiganti grek Panathinaikos është përjashtuar për 3 vite nga kompeticionet europiane, pasi nuk ka arritur të përmbushë kriteret financiare. Ish-finalisti i Kupës së Kampioneve në vitin 1971 është në krizë të thellë financiare dhe ka borxhe pa fund, ndaj UEFA i kishte vendosur një ultimatum deri më 1 mars për të shlyer borxhlinjtë, por klubi nga Athina nuk e bëri këtë gjë.
Për pasojë, UEFA ka marrë vendimin zyrtar: “Panathinaikosi përjashtohet nga kompeticionet e UEFA-s për tre sezonet e ardhshme. Gjithashtu, Panathinaikosi urdhërohet të paguajë një gjobë prej 100,000 eurosh”.
Panathinaikosi është aktualisht në mesin e tabelës në Superligën greke dhe i janë hequr edhe pikë për pagesat e prapambetura ndaj lojtarëve, ndërkohë që është gjobitur për shkeljen e rregullave të Fair-Play financiar. Kampionati grek është zhytur në kaos këtë sezon, nga dhuna në stadiume dhe akuzat për korrupsion, ndërkohë që Superliga u ndal për disa javë pas ndeshjes PAOK-AEK, ku në fushë u fut edhe presidenti i PAOK-ut Savidis, i cili mbante një armë në brez. FIFA ka kërcënuar se do ta përjashtojë Greqinë nga kompeticionet ndërkombëtare dhe do ta diskutojë situatën e futbollit grek në javët e ardhshme.