Peter Pakult ka dalë në konferencën e tij të parë prag ndeshjes me Vllazninë. Trajneri i Kukësit ka folur para takimit me shkodranët, teksa është treguar disi i prerë që të jetë më i rezervuar sa i përket çështjeve të tjera, që nuk kishin lidhje me takimin . Austriaku, i shoqëruar dhe nga drejtori sportiv Nderim Nexhipi dhe menaxheri Naim Halili, i është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ku ka veçuar faktin se e sheh gati skuadrën e tij për këtë ndeshje.
Ndeshja e parë në Superiore, a është ekipi gati për takimin me Vllazninë?
Jemi përgatitur shumë mirë gjatë këtyre tre javëve që kemi lënë pas. Kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira gjatë fazës përgatitore. Tani po nis kampionati dhe këto takime janë krejtësisht ndryshe. Mendimi im është që skuadra është përgatitur mirë për fillimin e pjesës së mbetur të kampionatit.
Sa e keni studiuar kundërshtarin?
Do të tentojmë që ta nisim ndeshjen duke befasuar kundërshtarin. Që nga fillimi duhet të jemi maksimalisht të përqendruar. Nëse arrijmë që të bëjmë atë që kemi bërë gjatë përgatitjeve atëherë do të mendoj se do të bëjmë një ndeshje pozitive.
Çfarë ka ndryshuar te Kukësi?
Ekipin e njoh tani, vetëm në këto 3 javë e kam parë. Nuk dua të flas për të shkuarën. Të gjithë e kanë parë se këto ndeshje në Antalia kanë ndikuar shumë pozitivisht te ekipi. Edhe në stërvitje po e shohim nga dita në ditë se atmosfera është e mirë. Uroj që kjo atmosferë që të jetë dhe në Shkodër.
Do ju kënaqte një barazim?
Unë jam një trajner që çdo herë kërkoj fitore. Në atë moment që nuk e fiton ndeshjen, nuk dua që skuadra ime të mundet. Skuadra ime e din se si jam unë dhe çfarë kërkoj nga ata dhe shpresoj se këtë do e tregojnë dhe në fushë.
Sa i përket merkatos, kemi dëgjuar shumë emra por a ka diçka konkrete?
Çfarë ka kjo me ndeshjen?Nuk dua të komentoj për këtë pjesë.
Do jeni përballë Gjokës, i cili ka fituar titullin sezonin e shkuar…
Nuk jam këtu për të diskutuar për trajnerët. Është mirë për trajnerin që ka arritur që të dalë kampion me Kukësin. Është sukses i madh për çdo trajner kur del kampion. Ne përgatitemi për ndeshjen dhe shpresojmë që skuadra të shprehet në fushë.
Aktualisht është vetëm Guri në repartin e sulmit, është menduar për një afrim të fundit?
Jemi duke kërkuar për një sulmues. Kemi disa alternativa. Shpresojmë që nga këto opsione të bëjmë zgjedhjen më të mirë.
Me çfarë moduli do luani ndaj shkodranëve?
Duam që skuadra të bëjë atë që kërkoj unë, të mbajë topin. Dua nga skuadra ime të bëjë lojë të mirë. Tre javë nuk janë shumë që ta nisim gjithçka nga fillimi. Sa i përket formacionit do të shohim. Edhe për ekipin është me shumë rëndësi që të marrë idetë e mia, megjithatë për çdo gjë duhet kohë. Edhe për ekipin është diçka e re, derisa të futemi në sistemin që dua unë.
12 pikë nga Skënderbeu, Gjici e do titullin, sa e arritshme është kjo?
Për momentin jemi në vendin e katërt. Qëllimi jonë është që të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe të ngjitemi sa më lart në renditje.