De Biazi: Unë në FSHF? Kurrë, jo kundër Dukës

0

Trajneri italian, ende pa ekip, rrëfen aventurën e fundit në Spanjë, por edhe të ardhmen e sidomos rritjen e futbollit shqiptar: Finon e kam parë një herë në 5 vjet, por Duka ka bërë gjëra të mëdha

Anton Cicani

Dielli i janarit mund të mos jetë i nxehtë në Tiranë, por sigurisht që Xhani de Biazin e nxeh turma që ndodhet te Muzeu Kombëtar, gati për të  bërë fotografi, për t’i marrë autograf ose thjesht për t’i dhënë dorën. “Mister, mister”, thërrasin të gjithë, teksa ai është disi i hutuar, sepse sapo futet në ambientet e muzeut, sheh fotoalbume të një arritje historike, ku në shumicën e tyre është pikërisht ai në stolin e Shqipërisë. Në njërën prej tyre ka dalë me sytë e mbyllura dhe nis të qeshë duke e kaluar me shpejtësi. Më pas, shfleton faqet e albumit dhe harron fotografitë e ngjitura në korniza… Emocionohet Xhani de Biazi, aq sa të duket sikur nga momenti në moment do të rifutet në ato faqe  letre për të përjetuar atë që ndodhi dy vjet më parë… Ndërkohë, shumë kilometra larg, në Zvicër, ndodhet Duka dhe Panuçi, duke ndjekur shortin e Ligës së Kombeve… Ende pa ekip, De Biazi po qëndron në pritje, por nuk harron të komentojë aventurën e fundit, ofertat, interesimet, ëndrra “Itali”, por edhe zgjedhjet e lëvizja e futbollit shqiptar. Në intervistën e dhënë për “Sport Ekspres” ja se si shprehet.

Mister. Aventura e fundit në Spanjë… Në Gadishullin iberik ke kaluar mjaft mirë më përpara, kur drejtojte Levanten, edhe pse mes problemeve. Por, me Alavesin ndarja ishte e shpejtë dhe e dhimbshme. Çfarë ndodhi? Ndoshta nuk ka durim ashtu siç edhe është në Itali?

Po thoja që gabova unë në zgjedhje sepse përveç një miqësie me drejtorin sportiv, Serxho Fernandez, person i aftë dhe i jashtëzakonshëm, problemi i vërtetë është që pronarët, apo drejtuesit e mëdhenj, nuk patën durim dhe besim. Kur shkova atje isha i bindur që situate ishte e vështirë, por mund të shpëtoja skuadrën. Kështu, rrezikova mbi lëkurën time dhe kur nisën të vinin rezultatet e para dhe frytet e punës, më shkarkuan. Ky ishte aspekti që më bezdisi, sepse një person si unë që vija nga stoli i Shqipërisë dhe arritja në Europianin 2016, por edhe vendi i tretë në eliminatoret e Botërorit 2018, meritonte më shumë respekt. Ata duhet të rrezikonin ashtu sikurse edhe unë mora rrezikun përsipër.

Praktikisht, tani që u dogjët në këtë eksperiencë, ju është bërë mësim, ose do ta keni parasysh për herë tjetër që të mos pranoni pa vlerësuar mirë oferta që vijnë nga ekipe si Alaves apo që qëndrojnë në fund të tabelës dhe luftojnë për mbijetesën?

Po, po. Patjetër që po. Nuk kam atë nxitimin për të gjetur ekip momentalisht. Kam nevojë të një projekti ndryshe dhe të jem në qendër. Do të doja një klub apo një federatë…

Kur thoni një federatë apo klub e keni fjalën për të përgatitur edicionin tjetër apo eventin tjetër, apo sa i përket fjalës klub, për sezonin tjetër, ose këtë që është në vijim, pra fazën e dytë?

Varet nga situata, që mund të jetë ndryshe. Është e qartë që çdo situatë duhet vlerësuar mirë dhe duhen kuptuar personat me të cilët frekuentohesh, pasi duhet kuptuar roli. Unë nuk kam frikë dhe kam marrë riskun përsipër, ashtu siç edhe e kam treguar në të shkuarën.

Duke i qëndruar ëndrrës për pankinën e Italisë, që po përjeton kaos pas largimit të Tavekios dhe zgjedhjeve që po afrojnë. Keni thënë shpesh që një person në federatë ju vuri shkopinjtë në rrota… Ka ardhur moment ta zbuloni…

Nuk e di, mund të jetë një person ose shumë. Por, tashmë nuk ka më kuptim, sigurisht. Di të them vetëm që për një periudhë u ndjeva trajner i Italisë dhe më pas kjo nuk ndodhi. Por, të qëndrosh këtu duke u marrë me hedhjen e fajit te dikush, nuk ka kuptim më.

Ka pasur interesime nga klube apo federata për ju, atëherë cilat kanë qenë konkretet dhe seriozet?

Krotone, më konkretja dhe seriozja. Diçka jashtë vendit, por asgjë me rëndësi. Besoj se kjo botë jeton shumë me mashtrime dhe aludime. Me agjentë që bëjnë emrat e filanit apo fishekut për interesa të ndryshëm dhe situata. Duhet të kesh pak durim dhe presësh. Jemi në botën e komunikacionit global dhe flitet shumë.

 

Për momentin jeni pa impenjim, teksa zgjedhjet në Shqipëri për kreun e federatës po afrojnë. Zoti Duka është biznesmen dhe ka 16 vjet përvojë, në anën tjetër është një deputet dhe sekretar partie, zoti Fino… A mos ndoshta ka ardhur momenti që të kandidojë edhe Xhani de Biazi, duke qenë se është shqiptar?

Nuk do të kandidoja kurrë përballë Dukës sepse është njeriu që më ka dhënë këtë mundësi në këto 5 vjet e gjysmë kam pasur mundësi ta njoh mirë. Person i aftë që di të menaxhojë FSHF-në si shumëpak. Arritja në Euro 2016, pjesa më e madhe e meritës është e tij, sepse pas 2 vjeçarit të parë vendosi të vijonte raportin me mua dhe na dha këtë mundësi. Shpesh futbolli jetohet me pak durim, por ai lexoi mes rreshtave dhe mendoi se isha personi i duhur për të udhëhequr Shqipërinë. Të mos harrojmë që janë realizuar disa projekte të rëndësishme si stadiumi i Shkodrës, ai i Elbasanit, “Arena Kombëtare” që është drejt fundit të ndërtimit… Selia e re e federatës te ish-kompleksi i Dinamos. Pra, ai është person i aftë, ka përvojë dhe ka imazh të mirë në sytë e Europës, njihet në nivel ndërkombëtar.

Të ndalemi te kandidati tjetër, rivali i Dukës, politikani Fino… Siç duket, politika po futet në një sektor që nuk i përket, por ndoshta tentativat e parë i bëri edhe kur ishit ju në drejtim dhe ku arritëm Euro 2016, me një spektakël mediatik në çdo front… Tani duhet të ulim pak tonet, apo jo?

Nuk e njoh kandidatin, në fakt, sepse në këto 5 vjet e gjysmë mund ta kem parë vetëm 1 herë. Nëse ka kandiduar, ndoshta ka motivet e tij. Por, sot, duke parë bazat që ka hedhur Duka në përvojën e tij, ka shanse që të rizgjidhet.

Ju keni qenë në Shqipëri për shumë vite dhe e dini shumë mirë se si ka qenë dhe si është, të paktën duke prekur ato që keni parë dhe prekur vetë. Thuhet në televizione apo personazhe të ndryshme të futbollit dhe jo vetëm se ka shumë mangësi, nga mungesë trajnerësh, në Akademi, infrastruktura e kështu me radhë… Ndoshta e ekzagjeruar kjo gjë, si mendoni?

Nëse flasim për lëvizjen futbollistike shqiptare, kam parë progres. Sigurisht, rezultatet të japin dorë. Kjo do të thotë se investimet janë bërë. Me paratë e federatës dhe dëshirën për të bërë gjërat mirë, besoj se Shqipëria është rritur shumë, pasi kombëtarja dhe federata janë rritur hap pas hapi bashkërisht. Asgjë nuk ndodh rastësisht, por është meritë e punës që është bërë në federatë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.