Trajneri i Kukësit: Nuk më ka ndodhur kurrë që të kem vetëm 1 sulmues në skuadër. Me Laçin duhet të japim më shumë se maksimumin për të marrë fitoren
Jurgen Zela
Trajneri i Kukësit, Peter Pakult, ka folur para ndeshjes me Laçin, kundërshtarin që i eliminoi nga Kupa e Shqipërisë. Austriaku ka veçuar paraqitjet e sulmuesit Guri, ndërkohë ka vetëm përgëzime për skuadrën e tij, në një farë mënyre për t’i bërë që të hedhin pas krahëve dështimin e regjistruar në mesjavë. 58-vjeçari po ashtu tregon se që tani po mendon për merkaton, di dhe zbulon faktin që për herë të parë si trajner rreshton një skuadër me një sulmues në fushë.
Pse erdhi skualifikimi nga Kupa dhe si e mendoni sezonin pa trofe?
Nuk u mundëm në asnjë prej dy përballjeve me Laçin. U eliminuam sepse ekipi kundërshtar shënoi në fushën tonë. Unë personalisht nuk dua që të shohim pas, pasi nuk mund të ndryshojmë asgjë. Duhet të shohim para dhe dua që skuadra të bëjë maksimumin dhe të sigurojmë vendin e dytë.
Mund të konsiderohet sezon i dështuar, duke qenë se e mbyllni pa trofe?
Kam ardhur kur skuadra ishte në vendin e 4-të, tre pikë pas Flamurtarit, dy pikë pas Laçit. Tani jemi në vendin e dytë, plot 9 pikë para Partizanit dhe më tepër nuk ka nevojë të flas.
Mund të jetë një ndeshje hakmarrjeje kjo e sotmja me Laçin?
Uroj që të fitojmë dhe të marrim pikë të plota. Deri më tani Laçi nuk na ka mundur në asnjë përballje. Nëse e analizojmë skuadrën e Laçit, me të drejtë janë në klasifikim aty ku janë. Janë një kundërshtar që në shtëpi luan shumë mirë dhe shumë fort. Besoj se të gjitha skuadrat duhet të japim më shumë se maksimumin për të marrë fitoren. Kundërshtari duhet të respektohet dhe të vlerësohet për çfarë ka bërë deri më tani. Para tre ditësh të gjithë flisnin mirë, ndërsa pas një humbjeje fliten fjalë të tjera, kjo nuk duhet të funksionojë kështu në sport.
Guri ka shumë oferta, ju shqetëson fakti se në Europë mund të mos jetë pjesë e skuadrës?
Kjo nuk është diçka aktuale, duhet të presim. Prej paraqitjeve që po bën prej janarit, ka bërë që të ketë shumë interes për Gurin. Kjo është diçka shumë e mirë, pasi ka shënuar shumë gola deri më tani. Sa në përket ne, të gjithë duhet të jemi shumë të lumtur për ecurinë e tij. Që nga fundi i janarit kemi luajtur vetëm me një sulmues. Në 22 vite që kam unë në futboll, është hera e parë që më ndodh kjo gjë. Duhet të falënderojmë Zotin që Guri ka një ecuri të tillë dhe po shënon çdo ndeshje. Nuk ka qenë i lënduar, por ka munguar vetëm për kartonë. Guri po shënon çdo ndeshje si Mesi dhe Ronaldo. Pas largimit të Bakajt, ndoshta ishte nënvlerësuar pak, por duhet të dimë që Bakaj është një lojtar me përvojë dhe normalisht kur ishte ai kundërshtarët fokusoheshin tek ai më së shumti. Skuadra e ka kaluar mirë largimin e Bakajt dhe meriton komplimente. Në këto muaj skuadra ka bërë paraqitje shumë të mirë. Fitoret që kemi bërë nuk i kemi marrë me eufori dhe nuk i kemi festuar shumë. Në 7 ndeshjet e ardhshme duhet të japim maksimumin dhe ta mbyllim në vendin e dytë. Kam kohë në futboll dhe i shoh gjërat në një këndvështrim tjetër. Pritshmëritë dhe realiteti janë shumë larg njëra-tjetrës, por duhet të jenë shumë të afërta. Unë i shoh dhe kundërshtarët, çfarë përbërje kanë. Për momentin, me ecurinë që kemi pasur dhe me atë çfarë ka dhënë ekipi, duhet të jemi të kënaqur. Do ishim shumë të kënaqur po të kalonim në finale, por edhe sot askush nuk do na jepte sigurinë që do fitonim në finale. Në Kupë ka vetëm 1 fitues, ndërsa në kampionat mund të ketë më shumë se një pasi objektivat janë të ndryshme. Duhet të punojmë shumë për ta ruajtur vendin e dytë, duke nisur që nga kjo ndeshje.
Ka presion nga ana e presidentit, pasi jemi njohur me një ultimatum për tre fitore radhazi?
Në Austri kemi një “ligj”, ku në paragrafin numër një thuhet se presidenti ka gjithnjë të drejtë, ndërsa në paragrafin numër dy kur nuk ka të drejtë duhet të shohim paragrafin numër një.
Sa i druheni kalendarit?
Kemi luajtur me të gjithë kundërshtarët dhe nuk i druhemi askujt. Ne jemi ata që kemi 9 pikë më shumë dhe ata duhet të bëjnë çmos për të fituar. Në ndeshjen me Laçin kishim dy mungesa. Shpresoj për më të mirën deri në fund. Matematikisht ne na duhen dhe 13 pikë, ndërsa Partizani t’i fitojë të gjitha ndeshjet, por është shumë e vështirë që t’i fitojë të gjitha. Çdo gjë është në dorën tonë, ndaj duhet të shohim veten dhe jo kundërshtarët.
Keni nisur të mendoni për merkaton e verës?
Po shkojmë drejt fundit të kampionatit. Po flasim me presidentin dhe Naimin për sezonin e ardhshëm. Jemi të përqendruar që ta mbyllim sa më mirë këtë sezon. Normalisht kemi pasur disa bisedime. Nuk duhet të shohim për të afruar lojtarë vetëm për Europën, por dhe për sezonin tjetër. Të gjithë flasin për Europën, por edhe në kampionat kemi 36 ndeshje sezonin e ardhshëm.