Kukësi vijon përgatitjet në Antalia të Turqisë me teknikun Peter Pakult, i cili ka nisur punën intensive për të synuar arritjen e objektivat e vënë nga klubi. Së fundmi tekniku austriak ka dhënë prononcim për sajtin zyrtar të klubit, duke komentuar fillimisht takimet miqësore që skuadra e tij do të zhvillojë gjatë këtyre ditëve. Në të njëjtën kohë nuk ka lënë jashtë vëmendjes dhe kushtet e përsosura, ku skuadra e tij po stërvitet: “Për ne nuk është me rëndësi se çfarë rezultatesh do të marrim në ndeshjet miqësore por rezultatet që do të marrim gjatë sezonit. Kushtet e stërvitjes këtu janë shumë të mira dhe ne jemi me fat që erdhëm të parët këtu dhe po shfrytëzojmë fushën në kushte të mira”-tha fillimisht Pakult.
Kukësi e ka në fokus dhe merkaton ku kërkon që të afrojë disa lojtarë me kualitet, megjithatë tekniku i ri i Kukësit synon që afrimet të bëhen sa më parë: “Jam shumë i kënaqur me ekipin me punën që po bën gjatë këtyre ditëve. Shpresoj të vazhdojmë kështu dhe ta mbajmë këtë ritëm. Të them të drejtën nuk dua të bëj diferencë mes futbollit në Austri, Gjermani apo vende të tjera ku kam punuar. Unë dua të punoj këtu, të shoh ekipin tim, ekipet kundërshtare dhe ta përgatisim ekipin për një start të mirë të sezonit. Gjithashtu po punojmë për disa përforcime dhe shpresojmë që shumë shpejt të kemi këto lojtarë”, përfundoi Pakult.