Futbolli shqiptar ka jo pak probleme, por më i madhi është vetëm një: ku stërviten dhe ku rriten futbollistët e së ardhmes?
Shkuam në Europian para një viti, me kontributin e jashtëzakonshëm të një grupi fantastik lojtarësh, të një trajneri të shkëlqyer dhe të një federate që diti të bënte lëvizjet e duhura, në çdo drejtim. E megjithatë, është një realitet paralel, që nuk ka lidhje me Shqipërinë brenda kufijve, pasi kontributi i kampionatit shqiptar në arritjen madhore ishte minimal dhe talentet e rritur në Shqipëri dhe që janë vendimtarë në kombëtare janë sërish me pikatore. A mund t’i rritim vetë Berishat, Strakoshat, Mavrajt e Canat e së ardhmes? E vështirë, shumë e vështirë, edhe pse në Shqipëri të gjithë e duan futbollin dhe nuk ka prind që nuk ëndërron që i biri të bëhet një futboll me emër, i aftë të sigurojë jetesën e vet dhe shumë më tepër se kaq, nëpërmjet futbollit. E megjithatë, shumë prindër e humbasin shpresën kur shohin vështirësitë pa fund për të mundësuar formimin e një fëmije që shpreson të bëhet futbollist. Thuajse në gjithë Shqipërinë fushat e ndërtuara në dekada të tëra janë prishur e zëvendësuar nga pallatet, ndërsa për të ndërtuar fusha e komplekse të reja nuk mendon askush. Qeveritë lokale justifikohen me mungesën e fondeve, qeveritë qendrore nuk e vrasin mendjen fare dhe Federata nuk ndërhyn dot, duke qenë se ndërtimi i një fushe të re ka si zanafillë gjetjen e terrenit dhe aty futen në lojë hallkat e pushtetit, qendror e lokal.
MUNGESA E NJË PLANI – Në pranverë do të zhvillohen zgjedhjet për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe ka nisur një luftë e egër mediatike, ku disa sulmojnë Armand Dukën e disa e mbështetin, disa duan ndryshim e disa propozojnë pa e shqiptuar emrin e rivalit të Dukës. Ende nuk ka asnjë kandidat përballë, përtej zërave për Bashkim Finon, i cili vetë nuk është bërë ende i gjallë, ndërkohë që edhe kur të nisë fushata e ethshme e të dalë ndonjë kandidat për të mundur presidentin aktual, me siguri nga të dyja palët do të dëgjojmë vetëm parulla politike, premtime për të shkuar në Botëror e për të drejtuar me pastërti federatën. Ndërkaq, askush nuk ka në mendje ndonjë plan për të bashkëpunuar me shtetin për të ndërtuar fusha, sa më shumë fusha futbolli. Edhe pse janë zaptuar gjithë hapësirat e lira, sërish në periferitë e çdo qyteti e fshati ka mundësi për të ndërtuar fusha që mjaftojnë e teprojnë për të stërvitur brezat e rinj. Është e tmerrshme të shohësh qindra fëmijë çdo ditë të stërviten te një fushë me bar artificial te klubi Dinamo, duke zënë radhën nga mëngjesi deri në darkë, ndërsa fusha ngjitur, me bar natyral, është e braktisur dhe ndonjë prind bën trajnerin, duke u munduar të mësojë të birin që futbolli luhet me top, në një fushë me bar, pa kratere. Thuhet shpesh që rinia është në rrugën e gabuar, nuk bën një jetër të shëndetshme, nuk edukohet si duhet dhe merret tërë ditën me telefon, facebook, lojra elektronike dhe mungon komunikimi e aktiviteti fizik. A u është krijuar ndonjë alternativë? Futboll, basketboll, apo çfarëdo lloj sporti? Jemi në rrugën e gabuar…
Leksioni nga Islanda, një mrekulli në dy dekada
Për të gjithë ata që mendojnë se është e pamundur që në Shqipëri të zhvillohet futbolli dhe se na ka marrë lumi pas dy dekadash “demokraci”, që përkthehen në anarki dhe rrënim, ekziston ende shpresë dhe mundësi për ndryshim. Mjafton që shteti shqiptar, qeveritë dhe federata, të bashkëpunojnë dhe të ndërmarrin një plan afatgjatë, duke imituar Islandën.
Nëse tani habitemi nga arritjet e vendit të vogël me 300.000 banorë (as sa gjysma e Tiranës), suksesi i Islandës i ka rrënjët të thella, duke nisur nga një plan i hartuar 20 vite më parë. Atëherë Islanda kishte futbollistë sa Laçi dhe zakonisht luante sa për të respektuar kompeticionet, duke u mundur të mos shpartallohej në çdo ndeshje.
Plani i hartuar kishte dy prioritete: njëri ishte edukimi i trajnerëve në sistemet më të mira në botë. Ata vendosën t’i pajisin gjithë trajnerët me licenca të niveleve A dhe B në UEFA, duke i çuar për studime kryesisht në Angli. Me këta trajnerë, ata u premtuan njerëzve se gjithë rinia islandeze do të kishte të paktën një trajner me UEFA B si nivel në çdo klub në Islandë.
Së dyti, islandezët i hodhën paratë te fushat. U ndërtuan komplekse stërvitore dhe ministadiume të mbuluar, me ngrohje poshtë fushës, në mënyrë që klubet të luanin futboll tërë vitin. Tani Islanda ka komplekset stërvitore më të mira në gjithë Perëndimin. Të gjithë futbollistët e rinj në Islandë mund të luajnë futboll sa të duan, për vetëm 400 euro në vit. Ju duket shumë? Janë rreth 35 euro në muaj, as 50 mijë lek të vjetra shqiptare, për stërvitjen, uniformat, pagesën e fushës, udhëtimet dhe kostot e tjera. Sa për krahasim, në Amerikë një futbollist i vogël paguan rreth 4000 dollarë në vit. Mos të harrojmë që në Islandë niveli i jetesës është qindra vite dritë larg nga Shqipëria, ndaj 400 euro në vit është një shifër e papërfillshme, pak a shumë sikur te ne çdo familje të paguajë 5.000-10.000 lek të vjetra për çdo fëmijë në muaj. Kush nuk do sakrifikonte aq para për fëmijën e vet?
Futbollistët në Islandë luajnë në skuadrat e lagjeve dhe nuk lejohen të transferohen deri në moshën 18 vjeç. Kjo bëhet që niveli i futbollit të jetë uniform dhe gjithashtu trajnerët janë të mirë kudo, duke mos u përqendruar vetëm në pak klube.
Projekti i zbatuar te meshkujt është zbatuar edhe te futbolli i femrave, që ka ecur me hapa gjigantë dhe Islanda në futboll për femra ka shkuar edhe në Europian dhe në Kupën e Botës.
Për këto arsye, futbolli në Islandë është një model suksesi, që duhet kopjuar edhe në Shqipëri, pasi nëse shpenzojmë dhjetëra miliona euro për 3-4 stadiume gjigantë që shumë rrallë do të mbushen, mund të gjenden paratë për të ndërtuar fusha dhe stadiume të vegjël të mbuluar, si në kalçeto, në periferitë e çdo qyteti. Mjafton që shteti, bashkitë, klubet e federata të bashkëpunojnë, edhe UEFA e FIFA do të ishin entuziastë për të shtuar fondet, nëse në Shqipëri do të krijohej një projekt për ndërtimin e 10 fushave të reja për çdo qytet dhe shkollimin jashtë Shqipërisë të gjithë trajnerëve të rinj.