Mesut Ozil momentalisht nuk po përjeton sezonin e tij më të mirë, teksa pas eliminimit nga Kupa e Botës me Gjermaninë e tij, erdhi tërheqja nga kombëtarja pas polemikave të shumta rreth fotos së tij me presidentit turk Erdogan. Ndërkohë tek Arsenal, turko-gjermani, është aktivizuar vetëm në gjashtë sfida, si pasojë edhe e dëmtimit që kaloi.
Gjithsesi në një statistikë të bërë nga “Opta”, Mesut Ozil rezulton si lojtari që ka krijuar më shumë shanse për gol, që nga korriku i vitit 2006, në 5 ligat më të forta në Evropë. Gjermani ka krijuar plot 1033 shanse, duke lënë pas vetes Dimitri Pajet, i cili numëron vetëm 17 më pak. Ozil lë pas në këtë renditje edhe emra si Kristiano Ronaldo, Lionel Mesi apo dhe Eden Hazard.
Kristiano Ronaldo e mbyll top dhjetëshen në vendin e fundit me 695 shanse, vetëm një më pak se Françesko Toti. Ndërkohë, Lionel Mesi ndodhet në vendin e pestë në këtë renditje me 861 shanse të krijuara. Gjithashtu vihet re se në këtë renditje bëjnë pjesë plot 5 lojtarë nga Premier Liga.