Oto Xhon pason Xhejmsin: Sezonin e ardhshëm, pjesë e Skënderbeut

 

Sulmuesi afrikan është në planet e drejtuesve të ekipit korçar, pas përvojës së fituar në kampionatin kosovar

Sulmuesi Oto Xhon është një nga lojtarët afrikanë, që drejtori sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç, përzgjodhi 2 vite më parë, gjatë një “ekspedite” në Nigeri. Në atë kohë ai ishte vetëm 18 vjeç dhe drejtuesit e klubit jugor menduan ta huazojnë në Kosovë, te Trepçe ’89, në mënyrë që të ketë më shumë mundësi të luajë dhe të rritet profesionalisht, për të qenë gati për Skënderbeun. Dhe duket se ky moment ka ardhur. Pak ditë më parë, drejtuesit e klubit bardhekuq vendosën të rikthejnë në ekip disa lojtarë, mes tyre edhe nigerianin Oto Xhon, i cili ka spikatur si golashënues në Kosovë.

E konfirmon këtë fakt edhe vetë lojtari, i cili është shprehur:  “Drejtori Sportiv i Skënderbeut, Haris Fakiç, më ka telefonuar kur isha në Nigeri, duke më bërë të ditur se do të jem pjesë e Skënderbeut sezonin e ardhshëm. Më ka thënë gjithashtu se janë disa ekipe, që janë interesuar për mua, pas 2 sezoneve të mira që kam zhvilluar në Kosovë, i huazuar nga Skënderbeu. Për dy vite kam qenë golashënuesi më i mirë i kampionatit kosovar dhe tani jam gati t’i shërbej Skënderbeut.” Sulmuesi nigerian pritet të jetë pjesë e rëndësishme e Skënderbeut, pse jo dhe më pas të jetë edhe ai një nga lojtarët që mund të shiten në kampionate të huaja, siç ka ndodhur me Piter Olajinkën dhe tashmë me Xhejms Adeni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *