Pas ndeshjes së fundit ndaj Jang Bojs, e vlefshme për grupin B të Europa League, e deri dje, pas stërvitjes së fundit të Skënderbeut, problemi më i madh i korçarëve kanë qenë dëmtimet e shumta. Dëmtimi më i rëndë ishte ai i Enis Gavazaj, teksa kosovari sot që të operohet në spitalin ”Salus” në kryeqytet dhe ka gjasa të mëdha të mungojë e pakta një muaj. Përpos këtij lojtari, dje në seancën e fundit stërvitore me grupin janë stërvitur rregullisht edhe dy futbollistët e tjerë të dëmtuar, Tefik Osmani dhe Marko Radas. Dyshja e titullarëve të mbrojtjes, me shumë mundësi, sot do ta nisë takimin nga stoli, sepse trajneri Ilir Daja nuk dëshiron t’i sakrifikojë. Ai ka menduar t’i lërë jashtë formacionit, për të pasur mundësinë të rikuperohen edhe gjatë periudhës 10-ditore të pushimit pas ndeshjes së sotme. Një tjetër lojtar, që me shumë mundësi do të jetë në stol, është Nimaga. Edhe Suad Sahiti ka pasur ngarkesë dhe është vendosur që edhe ai të jetë jashtë 11-shes. Trajneri Ilir Daja ka filluar rotacionin, për shkak të ngarkesës së madhe me ndeshje, por që Skënderbeu e ka grupin të plotë, ka lojtarë cilësorë edhe në stol, që mund të bëjnë pa frikë titullarin.