Pasditen e së martës firmosi, duke formalizuar transferimin te Teuta, edhe pse marrëveshja ishte mbyllur disa ditë më parë. Tefik Osmani u rikthye te “djemtë e detit” dhe pas pushimeve të gjata, e kishte me nxitim të kthehej në fushë. Menjëherë pas prezantimit në zyrat e klubit, mbrojtësi veteran i’u bashkua ekipit në stërvitje. Asnjë minutë për të humbur. Osmani e ka të qartë që duhet të rikuperojë formën optimale fizike, edhe sepse nuk ishte në fazën përgatitore në Ohër dhe kampionati nis pas më pak se dy javëve.
Me afrimin e Osmanit, i cili i shtohet mbrojtësit Ditmar Bicaj, trajneri Bledi Shkëmbi ndihet më i qetë, edhe pse do të preferonte që dy lojtarët me eksperiencë t’i ishin bashkuar më shpejt grupit. “Për mua e rëndësishme është që Tefiku u bashkua me ekipin tonë. Me eksperiencën dhe nivelin që ka si lojtar do të na ndihmojë”, tha drejtuesi i stolit për “Super Sport”. “Ndoshta do të ishte më mirë që ardhja e disa lojtarëve të ishte bërë pak më përpara dhe grupi të ishte i plotë gjatë përgatitjeve. Por, e rëndësishmja e fazës përgatitore është që arritëm aty ku donim dhe që asnjë lojtar nuk është dëmtuar”.
Nga merkato të objektivat, e Teutës në këtë sezon, Shkëmbi nuk fshihet. “Me ardhjen e Bicit dhe Osmanit kemi fituar shumë. Por, nëse do të jetë edhe ndonjë mundësi e orëve të fundit në merkato, me një futbollist që është në gjendje të bëjë diferencën, do të ishte i mirëpritur. Me dy afrimet e fundit, jemi deri diku në rregull”, tha ai. Trajneri shtoi: “Synimi është që të jemi në vendet e para të renditjes. Teuta është mësuar gjithmonë që të luajë për zonën e lart të renditjes dhe për kupat e Europës. E dimë që këtë vit kampionati do të jetë i vështirë, por gara pa objektiva duket e pavlerë dhe në këtë synojmë, të arrijmë Europën”.