Osmani mungon të shtunën, por ka edhe lajme të mira

Skënderbeu nuk mori më shumë se një pikë në ndeshjen e javës së dytë ndaj Kamzës, por është vetëm fillimi dhe ky hap fals mund të kalojë shumë shpejt, pasi ndeshja e radhës është në prag. Skënderbeu ka probleme në prapavijë për takimin e së shtunës me Partizanin, pasi Tefik Osmani do të mungojë edhe në këtë ndeshje të rëndësishme. Lajmin e konfirmon stafi mjekësor i Skënderbeut, duke bërë të ditur se mbrojtësi gjatë gjithë kësaj jave do të bëjë terapi intensive, për shkak të problemit me ligamentin e këmbës. Pas Partizanit do të shikohet gjendja e Osmanit dhe më pas do të mësohet saktësisht kur do të kthehet korçari. Por në rrezik është edhe ndeshja e dytë e grupit B të Europa League, ajo ndaj Jang Bojs në “Elbasan Arena”. Ky takim do të luhet pas 8 ditësh dhe është kohë e shkurtër rikuperimi. Osmani nuk ka arritur të luajë asnjë ndeshje në Superligë, por do të mungojë edhe ndaj Partizanit.       

Jashanica bashkohet nesër me grupin

Tefik Osmani është mungesa e vetme e sigurt e Skënderbeut në ndeshjen e së shtunës ndaj Partizanit. Për Dajën pritet të ketë një rikthim të rëndësishëm në prapavijë, siç është Bajram Jashanica, që ka pasur probleme dëmtimi, që e detyruan të mungonte ndaj Kamzës. Sipas stafit mjekësor, Jashanica dje punoi në mënyrë të diferencuar dhe kështu do të ndodhë edhe sot. Nesër pritet që mbrojtësi të provojë rikthimin në fushë, por sa do t’ia arrijë qëllimit, mbetet për t’u parë. Gjasat janë të mëdha që Daja të shtunë ta ketë në formacion Jashanicën, që do të jetë një  rikthim me shumë vlera. Këto seanca të fundit do të zbardhin edhe grupin e lojtarëve, që do të zbresë në fushë të shtunën.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *