Në Itali është duke u mbyllur pjesa e parë e supersfidës Juventus-Milan. Rezultati është 0-0 dhe nëse mbaron po njësoj do të jenë bardhezinjtë që do të kualifikohen në finalen e Kupës së Italisë. Situata u bë mjaft e vështirë për “djallin” kur në minutën e 17-të Rebiç u ndëshkua me kartonin e kuq.
Pas një penalltie mjaft të diskutueshme të humbur nga sulmuesi i Juves, Ronaldo, në aksionin pasaërdhës me një ndërhyrje të tipit ” Kung Fu”, Ante Rebiç do të largohej nga fusha e lojës për të lënë ekipin me 10-të lojtarë. Arbitri Orsato ndryshe nga një aksion më parë, ku kërkoi mbështetjen e VAR-it për te dhënë njëmbëdhjetëmetërshin, nuk pranoi ndërhyrjen e teknologjisë në rastin e Rebiç.
Një rast shumë i ngjashëm kishte ndodhur në ndeshjen Inter-Juve pak vite më parë. Edhe pse me një ndërhyrje makabër ndaj lojtarit të Interit, Pjanic do të ndëshkohej vetëm me karton të verdhë. Duket se për ekipe të ndryshme ka ndëshkime të ndryshme. /Sport Ekspres/