Pas zyrtarizimit të shtyrjes së ndeshjeve të fundjavës në Kategoritë e ulta, Apolonia e Orikumi luajtën dje një miqësore në aneksin e stadiumit në Fier, duke testuar veten, në një sfidë që prodhoi çudira. Orikumi i drejtuar nga Artan Sakaj triumfoi 5-0, ndonëse luan një kategori më poshtë dhe në teori Apolonia duhej të ishte shumë superiore. Apolonia e nisi me formacionin e vet më të mirë, por vetëm 40 minuta zgjati ekuilibri në fushë, sepse pastaj filloi spektakli i Orikumit. Albano Caushaj përfitoi nga një gabim i mbrojtjes vendase dhe 5 minuta para fundit tundi rrjetën e Çakos.
Me fillimin e pjesës së dytë të dyja skuadrat bënë ndërrime dhe epërsia e Orikumit u bë e dukshme. Në minutën e 54-t kapiteni vendas Dimo preku topin me dorë dhe arbitri Cjapi akordoi 11-metërsh, që e transformoi sulmuesi Lorenc Shehaj, i futur në pjesën e dytë. Mbrojtësi Hoxha, i sapokthyer nga një dëmtim, shënoi golin e tretë 4 minuta më vonë, ndërsa Lloja, edhe ky i futur në pjesën e dytë, shënoi dy golat që mbyllën ndeshjen. Ndeshja u ndoq edhe nga ekipi i Albpetrolit, që u paraqit pak para fillimit të takimit, për të parë një rival direkt në kampionat, me të cilin do të ndeshet në javën e fundit të fazës së parë. Një fitore e pastër dhe e bujshme e Orikumit, që në një farë mënyre paralajmëron rivalët e grupit të vet në Kategorinë e Dytë se këtë sezon e ka seriozisht për ngjitje në Kategorinë e Parë.
Apolonia – Orikumi 0-5
Golat: Caushaj 40′, Shehaj 54′ (11m), E. Hoxha 58′, Lloja 61′ ,68′
Apolonia: Çako, Llambi, Braka, Kuçi, Duda, Velo, Troka, Hyseni, Sota, Dimo, Krasniqi
Trajner: Ndriçim Kashami
Orikumi: Muho, Hoxha, Gjipali, Meta, Hazizi, Nurçe, Bocaj, Livanaj, Çapoj, Caushi, Kongjoni
Trajner: Artan Sakaj
Gjyqtarë: K Cjapi, S. Çepele, Sh. Shehu.