Orelesi ende pa vizë, stërvitet me Vllazninë B

Futbollisti nigerian edhe dje nuk është pajisur me vizë për të shkuar në Mal të Zi. Mungesa e tij e shqetëson jo pak trajnerin Ernest Gjoka

Gaspër Marku

E hëna ka shënuar fillimin e javës së dytë stërvitore në kuadrin e fazës përgatitore, që skuadra kuqeblu po zhvillon në Mal të Zi. Pas miqësores brenda familjes me Vllazninë B, që u fituan thellë 7-1 nga skuadra kuqeblu, trajneri Gjoka vendosi t’i linte pushim futbollistët e tij ditën e diel. Duke shfrytëzuar afërsinë gjeografike që Shkodra ka me Ulqinin, ndonjë futbollist familjar ka pasur mundësinë të bëjë një vizitë të shpejtë në qytetin verior dhe për t’u kthyer në Ulqin. Ashtu si në ditët e tjera, programi stërvitor do të vijojë me dy seanca, paradite në palestër dhe pasdite në terren. Në fakt, kushtet atmosferike në këtë fillim të javës nuk kanë qenë aspak të favorshme, pasi kanë nisur reshjet e shiut dhe temperaturat kanë nisur të ulen ndjeshëm. Megjithatë, dëshira për të bërë më të mirën në këtë fazë përgatitore mbetet po ajo nga ana e futbollistëve kuqeblu. Trajneri Gjoka nuk e ka ndërprerë për asnjë çast minutazhin stërvitor, madje edhe deri në orët e vona të mbrëmjes, duke shfrytëzuar ndriçimin në terrenet e kompleksit sportiv “Olimpik” në Ulqin.

ORELESI – Çështja që shqetëson më shumë te Vllaznia në këtë moment ka të bëjë me futbollistin nigerian Nuredin Orelesi. Prej disa ditësh e presin t’i bashkohet skuadrës në kampingun ulqinak, ku Vllaznia po zhvillon fazën përgatitore që prej datës 6 janar, por ai ka mbetur në Shkodër dhe ky fakt e shqetëson jo pak trajnerin Gjoka. Nigeriani është planifikuar që të jetë titullar në formacionin e Vllaznisë më 27 janar, kur do të luhet ndeshja me Kukësin, por nuk është stërvitur asnjë ditë me ekipin. Për arsye personale futbollisti nuk kishte mundur të mbërrinte në Shqipëri deri më 11 janar, ndërsa tani nuk ka vizë për të udhëtuar drejt Malit të Zi. Drejtuesit e klubit kuqeblu janë interesuar me të gjitha mënyrat që ta zgjidhin këtë problem burokratik, por nuk ia kanë arritur qëllimit deri dje në mbrëmje. U tha se dje Orelesi do të ishte në dispozicion të trajnerit Ernest Gjoka, pasi do të merrte vizën, por përsëri nuk u bë e mundur një gjë e tillë. Në të tilla kushte, trajneri Gjoka e ka  rekomanduar kolegun e tij te Vllaznia B, Ervis Krajën, ta përfshijë në procesin stërvitor, në mënyrë që të paktën fizikisht nigeriani të mos ketë deficite. Dje Orelesi është parë të stërvitet me Vllazninë B, në fushën e stadiumit ”Reshit Rusi” të Shkodrës. Trajneri Gjoka, pas lëvizjeve që ka bërë në merkaton e dimrit, duke sjellë në ekip Malotën dhe Berishën, i ka bërë llogaritë që afrikani të aktivizohet në rolin e tij natyral, në mesfushë. Kujtojmë që në ndeshjet e deritanishme Orelesi ka luajtur si mbrojtës qendre dhe deri diku ia ka dalë, edhe pse në këtë rol është natyralizuar. Tani në qendër të mbrojtjes do të jetë dyshja Malota-Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *