Opinion/ “Sot për nesër”! Do të rrimë në ato 40 vitet mbrapa? Diskutimi që duhet të ndajmë përfundimisht mbi Kombëtaren

Nga Klaudio Ndreca

Shqipëria luante futboll, Polonia shënonte golat. Nëse do të përshkruajmë ndeshjen e djeshme, mjafton edhe kjo fjali e vetme për të kuptuar se çfarë ndodhi në ato 90 minuta, ku rezultati 4-1 ishte i gënjeshtërt. Por ajo që na surprizoi më shumë nga kjo transfertë ishte loja e kuqezinjëve. Duhej me patjetër që të shihnim me detaje fanellën për të kuptuar se bëhej fjalë për Shqipërinë. Ndërkohë, loja e supozuar dhe skema që prisnim ne nga Kombëtarja jonë, po e bënte Polonia, vetëm kundërsulme dhe vra.stare. Sigurisht, ata e kanë një Robert Lewandowski dhe ne ende jo. Siç u shpreh edhe Altin Lala, ndoshta ka lindur edhe ai ylli botëror i Shqipërisë, por duhet të presim ende që të rritet dhe ta shohim. Deri atëherë duhet të vështrojmë dhe dëshpërohemi nga yjet botëror që kanë Kombëtaret e tjera.

E tani duhet të kthehemi te diskutimi kryesor. Cilat janë objektivat e Kombëtares në këto kualifikuese dhe çfarë dëshirojmë ne si opinion sportiv nga Shqipëria? Për vetë rrugëtimin drejt Botërorit është thuajse e pamundur që të pretendohet për grupet. Por objektivi kryesor është rritja në cilësinë e lojës dhe lënia mbrapa e një prej dy Kombëtareve si Hungaria dhe Polonia. Sigurisht që vendi i dytë do të ishte i mirëpritur në çdo rast duke parë sesi do të shkojnë ngjarjet. Por parësore është përgatitja sa më e mirë për kualifikueset e Europianit ku do të kemi shanse konkrete për të arritur në grupe dhe njëkohësisht dhënia e sinjalit që në këto takime se Shqipëria është gati.

Shumëkush mund të pyes: “A nuk i mjaftoi Liga e Kombeve këtij trajneri?”. Nuk është njësoj nëse përballesh ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë me ndeshjet ndaj Anglisë dhe Polonisë. Në vendin tonë zgjedhim që me futbollin të zbrazim gjithë nervat e ngarkuara gjatë ditës, që në fakt nuk janë të pakta. Kritikojmë gjithçka dhe ndonjëherë duke e tepruar. Atëherë diskutimi që duhet të ndajmë: “Dëshirojmë Kombëtaren e De Biazit apo Shqipërinë e re?”. Nuk mund të jetohet me kujtimet e së kaluarës.

Duhet të vendosim nëse duam një Shqipëri që qëndron e gjitha në gjysmëfushën e saj dhe del me rastet e numëruara me gishtat e njerës dorë për të provuar kundërsulmet apo që të shfrytëzojmë të gjitha cilësitë në rritje të këtyre lojtarëve që mund të kontrollojnë topin dhe të luajnë si të barabartë edhe ndaj Polonisë në transfertë? Por nëse zgjedhim të dytën, duhet të kuptojmë se ky trazicion në mënyrën e lojës kërkon kohën e tij për të dhënë frytet. Për të mbajtur këtë fytyrë të re duhet të sakrifikohen disa ndeshje dhe duhen marrë parasysh edhe rezultate të tilla si në transfertën polake.

Pra do të kemi disfata të tilla me këtë lloj risku që do të ndërmerret. Sidomos nëse një prej tre mbrojtësave të fundit nuk është në formën e duhur dhe përballë kemi yje të kalibrit botëror që të ndëshkojnë edhe duke shpikur raste nga hiçi. Në momentin kur Shqipëria humbi me rezultatin 0-2 ndaj Anglisë me 0 goditje në portë, shumë analistë thanë: “Si mund të vazhdojmë kështu? Po na kthen 50 vite mbrapa. Shqipëria nuk do të luajë futboll, nuk prodhon dot asgjë përveçse të rri në mbrojtje. Nuk lidhim dot dy pasime. Ka ikur koha e humbjeve të thella”.

Kthehemi në mbrëmjen e djeshme. Hungaria rrezikon diçka më tepër për të provuar ndaj Anglisë se Shqipëria dhe humbet në shifrat 0-4. Shqipëria provon shumë më tepër ndaj Polonisë dhe humbet në shifrat 4-1. Pra kuptuam se rezultatet e thella nuk vendosen sipas këtyre specialistëve me: “Dikur dhe tani”. Ajo që duhet të kuptojmë është se asgjë nuk mbyllet sot për nesër, siç na pëlqen ne shqiptarëve. Shqipëria e nisi lojën sulmuese ndaj Çekisë dhe e humbi në shifrat 3-1 dhe e vazhdoi me Poloninë duke humbur në shifrat 4-1. Asnjëra prej tyre nuk tregon panoramën e ndeshjeve. Për herë të parë kemi parë një Kombëtare që mban të njëjtin nivel në të dy pjesët e lojës, pasi më herët për të vazhduar edhe më kohën e Panuçit dhe De Biazit, bënim gjithmonë 45 minuta të mira dhe 45 të tjera që ishin thuajse katastrofë. Atëherë, kërkojmë këtë Shqipëri që të shfrytëzojë aftësitë sulmuese dhe të paraqitet si ndaj Polonisë, apo katenaçon tipike ku në shumë takime do ta mbyllim me 0 goditje në portë si ndaj Anglisë? Thjeshtë duhet të vendosim.

Gjithçka shkoi në përsosmëri në përballjen e djeshme me Poloninë. Disa herë mesfushorët humbnin topin dhe vihej re si mangësi, pasi më herët nuk jemi mësuar kurrë për të qenë në kontakt më të. Asnjë prej mesfushorëve më të mirë në botë nuk e kanë arritur saktësinë 100% në pasime, nuk mund ta kërkojmë nga mesfushorët e Shqipërisë. Sigurisht që duhen përmirësuar gabimet për dhuratat ndaj kundërshtarit si në rastin e Bares në golin e tretë. Por ana tjetër Keidi ishte gjithë motori i Kombëtares dhe i vetmi mesfushor që kishte aftësinë për të dribluar, për t’u mos kthyer vite mbrapa që të pasohet topi vetëm në mbrojtje pasi nuk mundet askush që të shtyjë më shumë. Fillimisht duhet të ndajmë këto këndvështrime për të vendosur më pas se çfarë shkon dhe nuk shkon me Kombëtaren. Batuta që përshkruan këtë rast në përgjigjen e nënkuptuar është: “Edhe akullore, edhe çokollatë”. Por jemi ende në nisje të kësaj “fytyre të re” dhe fatura është shumë e lartë për t’u paguar në fillim, nuk mund t’i përballojmë dot të dyja: “Rezultatin pozitiv dhe lojën e bukur me dominim ndaj rivalëve të mëdhenj”. Pra, akullore apo çokollatë? /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online