Opinion nga Xhevdet Zekaj/ Ceferin erdhi, pa, urdhëroi, fitoi futbolli dhe iku…

Nga Prof. Dr. Xhevdet Zekaj

Ceferin erdhi si europian, foli si europian, si president i një ekonomie mbarëkontinentale, sikurse është futbolli. E bëri këtë si president i UEFA-s. Ceferin erdhi e foli shqip fare, duke iu treguar të gjithëve “kufirin te thana”, kur është fjala për ndërhyrje në futboll. Siç ka ndodhur përherë në fakt, kur pushtetarët kanë synuar të vënë nën kontroll edhe futbollin në vendin tonë.

Familja e futbollit është e bashkuar, ndaj nuk ka bir nëne, me çfarëdolloj “hallatesh” të jetë që ta përçajë dhe nënshtrojë. Kreu i UEFA-s foli shkoqur, nuk tha se jam Krishti apo Muhameti, por jam president i qeverisë europiane të futbollit. “Kush guxon të më prek sadopak kompaninë, futbollin e pret ferri”.

Forcën e tij dhe të institucionit që drejton e provuan 12 klubet nismëtare të Superligës Europiane, qeveritë e tyre përkatëse, që dolën menjëherë kundra. E mbani mend besoj dhe bëhet fjalë për: shtete e bashki si Angli, Gjermani, Francë, Itali dhe klube elitare.

Ai e bëri të qartë për këdo se futbolli ka rregullat dhe ligjet e veta, se nuk lejon askënd të cënojë lirinë dhe pavarësinë e federatave respektive, përfshirë FSHF-në. Po preke ato ke prekur Ceferinin dhe jo me pak pushtet politik, kandidati hije për Prrsident i Kroacisë. Dhe po i preke antarin e KE-së me politikën ai kthehet urgan si me klubet e mësipëtme.

UEFA e ka krijuar me shumë mund dhe luftë këtë standard, për të qenë larg ndikimeve të politikës dhe nuk cënohet kollaj. Nëse suksesi i futbollit i errëson sytë, i trullos vëmendjen dikujt, ky nuk është shqetësimi im, as i Ceferinit, as i Dukës dhe as i futbollit shqiptar. Nëse të tjerët duhet t’i uleshin në gjunjë dhe ta falenderonin për sukseset e shumta në fushën e futbollit, i fusin shkopinj nën rrota presidentit të FSHF-së.

Natyrisht, e kemi thënë dhe do ta themi se një punë kaq kolosale ka edhe defektet e veta. Gjithmonë ka gjëra për të rregulluar, globalizuar, integruar në futboll.  Aq më mirë kur gjërat që duhen përmirësuar janë në qendër të diskutimit institucional kombëtar dhe ndërkombëtar. Ceferini foli për topin, futbollin, infrastrukturën. Ai e bëri të qartë se politika duhet të rrijë larg futbollit, sepse politika e ka lënë këtë vend në pikë të hallit, ndërsa futbolli ka kapur majat e Europës, sikurse ishte “Euro 2016”.

Ceferini tha se ka shumë gjëra të mira për të bërë me Shqipërinë, për futbollin shqiptar, edhe për Tiranën si kryeqytet i Europës për vitin 2022, të cilës i besoi finalen e “Conference League”. Por, për këtë duhen zgjedhje të rregullta, duke mos përjashtuar as detyrimet e FSHF-së për të qenë korrekte me anën ligjore, sikurse ka funksionuar deri tani.

Ceferin erdhi, pa, la mesazhe të qarta dhe iku. Ai la porosi për informim të paanshëm, të vërtetë, duke mos pranuar kurrsesi ndërhyrjen e politikës në futboll. Kryeministri Rama, si një vizionar dhe udhëheqës, që ka treguar gjithmonë bashkëpunim me sportin, tha që: Po, bëri mirë që edhi Ceferin. Ishte i suksesshëm takimi me të. Edhe mesazhi i kreut të qeverisë ishte i qartë: Do të kërkojmë zgjedhje transparente në FSHF, por kurrë nuk do të ndërhyjmë në to.

Në fakt, Ceferini erdhi dhe iku, por ka filluar presion shumë i madh mbi shumë anëtarë që do të votojnë në asamblenë e 2 marsit, të cilëve iu kërkohet ta delegojnë të drejtën e votimit këtij apo atij personi.  Dhe këtë po e bën politika, është ndërhyrje në sport, shkelje e pavarësisë së instuitucionit futbollistiki në vend. Ky ishte paralajmërimi i Ceferin.

Nëse Rama nuk e di këtë gjë, duhet të pyesë minsitrat Peleshi dhe Kumbaro për atë që bënë në Korçë dhe Gjirokastër. Duhet të pyesë edhe kryetarët e bashkive, që mbyllën dyert e stadiumeve për asambletë rajonale. Presioni me vendin e punës, me bukën e gojës është i qartë.

Ceferini dhe Rama folën për futbollin, për rregulla, pavarësi dhe mosndërhyrje. Në fakt këtë gjë po kërkon edhe Duka, në fund të mandatit më të suksesshëm të tij. Nëse pushtetarët ngrenë furtuna propagandistike ndaj FSHF-së, ato probleme që lartësohen me të madhe nuk mund t’i zgjidhë ish-zv.presidenti (de facto) i federatës së futbollit, Shakohoxha.

Ai ka qenë bashkëpunëtori më i ngushtë i Dukës, i rrinte mbrapa e para, i shkundte pluhurin në xhaketë, i bënte fresk, i mbante çantën, por edhe jepte urdhra në emër të tij, madje ndonjëherë edhe fitonte ndonjë gjë në emër të Dukës, që mund të ketë bërë jo pak gabime, edhe faje në emër të kreut të FSHF-së si në këtë rast.

Po, po njeriu që do “damllakos” futbollin ka folur në emër të Dukës dhe ka vepruar në dëm të futbollit. Duke parë rivalin, gjithkush e ka të qartë se Duka e meriton plotësisht edhe një mandat në krye të futbollit. Madje me alla Shako, fiton edhe 5 mandate a më shumë. Më mirë origjinali se sa “kopja”…

Sepse Shakua nuk është ta zëmë Artur Çobani, as Sokol Kushta, as Igli Tare, as Lorik Cana, as Roland Luçi, as Ervin Skela, as Arben Dervishaj, as Libohova apo Bardh Jera…. As ish futbollist, as ekonomist, as jurist, as punonjës i administratës së lartë shtetërore e publike, as gazetar i medias së shkruar…. Ceferini, Rama, Duka folën! U kuptuan! Fitoi futbolli! Fitoi dhe Bashkia e Tiranës për atë pjesë sensibilizuese…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *