OPINION/ Baltosja e procesit, kapitullim i kundërshtarëve të Dukës!

Opinion nga Ervin Sherifaj

Gara po përvijohet e ndezur, megjithëse ende nuk ka nisur zyrtarisht. Procesit të zgjedhjeve për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit i mungojnë akoma emrat e kandidatëve, që do të garojnë për këtë post, e megjithatë akuza të forta janë bërë nga media të caktuara në drejtim të FSHF dhe kreut të saj aktual Armand Duka.

Ky i fundit nuk e ka shpallur kandidaturën, e megjithatë është vënë në syrin e ciklonit, nga kundërshtarët e tij, të cilët duket se kanë shënjestruar ligjshmërinë e procesit zgjedhor.

Pak ditë më parë Komiteti Ekzekutiv i FSHF-se vendosi të thërrasë Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme, e cila në këtë rast do të jetë edhe Asamble Zgjedhore.

Lajmi u prit me skepticizëm nga pjesa më e madhe e kritikëve të z.Duka, të cilët nxituan të akuzojnë se ky ishte një veprim, i cili synonte t’i gjente të papërgatitur kandidatët e tjerë dhe më keq akoma t’i paraprinte një dënimi që sipas tyre pritet të vijë nga UEFA për një ekip shqiptar. Argumenti i fundit është hedhur në mënyrën më groteske të mundshme, pa asnjë burim të identifikuar informacioni, por thjesht në versionin “më the – i thashë”.

Për ata që kanë marrë mundimin të lexojnë Statutin e FSHF, në mënyrë të veçantë nenin 24 të tij, është e qartë së vendimi për thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme në datën 7 shkurt është tërësisht ligjor dhe i marrë në respektim të përcaktimeve të këtij Statuti.

Mandati aktual skadon në muajin shkurt dhe procesi zgjedhor nuk mund të kalonte këtë afat, pasi më tej do të ishte i paligjshëm.

Akuza për caktimin e datës në mënyrë surprizë duket krejt e pavend, për sa kohë që diskutimi për këto zgjedhje ka nisur disa muaj më parë. Nëse një kandidati potencial nuk i kanë mjaftuar gjithë këto muaj për të vendosur për kandidimin e tij, apo për të hartuar një strategji dhe një program për këto zgjedhje, atëherë vështirë të besosh se ai është një kandidat serioz.

Por akuza më e fortë duket se ka qenë ajo për listën e anëtarëve të FSHF, që është njëkohësisht edhe lista e zgjedhësve dhe që sipas kundërshtarëve të presidentit aktual është e manipuluar.

FSHF ka 66 anëtarë, të cilët në bazë të nenit 4, pika 2 të Statutit, mund të jenë Klube futbolli ose subjekte, të cilat përfaqësojnë grupe të caktuara profesionesh apo rajone të caktuara gjeografike.

Shoqatat për të cilat ngrihen dyshime se janë të paligjshme, janë anëtarësuar në FSHF me të drejta të plota dhe kanë qenë pjesëmarrëse të rregullta të Asambleve të Përgjithshme, qysh prej vitit 2010.

Anëtarësia e kontestuar për çudi vetëm sot, është në fakt një vendimarrje kolegjiale e gjithëpranuar në Asambletë e mëparshme dhe që është formalizuar përmes regjistrimeve të njëpasnjëshme në gjykatë, arsye për të cilën, ligjshmëria e procesit mbetet e pakontestueshme.

Cilido anëtar, ent shtetëror apo subjekt që legjitimohet nga Ligji, ka pasur të drejtën e ankimimit në rrugë gjyqësore.

Nëse realisht ka pasur probleme me vlerësimin e kritereve të anëtarësimit, kjo ka vend të hetohet nga Federata për përmirësimin e praktikave të së ardhmes edhe përsa i përket kontrollit të aktivitetit të tyre. Po për aq kohë sa vendimet e Gjykatës kanë legjitimuar asamble pas asambleje, debati do mbetet thjesht mediatik dhe jo ligjor.

Baltosja e proceseve zgjedhore, ende pa nisur mire ato, nuk është një praktikë e panjohur në Shqipëri, për të mos thënë se tashmë kjo është kthyer në një praktikë rutinore. Nuk kish si të bënte përjashtim në këtë situatë edhe FSHF-së. Eshtë interesant për t’u nënvizuar se si problemet, reale apo të stisura qofshin, ngrihen vetëm në momente të tilla nga ata që “ja duan të mirën” futbollit.

Përkundrejt kujdesit të FSHF që gjithçka të zhvillohet brenda kuadrit ligjor të përcaktuar nga Statuti i kësaj organizate, përpjekjet e kundërshtarëve të Dukës për ta baltosur procesin përpara se ai të nisë, japin në opinionin publik sinjalin e një kapitullimi të tyre, që më përpara kandidimit të mundshëm të Dukës dhe konfirmimit të tij në krye të FSHF.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online