Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit komenton situatën për “Sport Ekspres”: Nuk pati përplasje. Lojtari kishte dëshirë të luante
Dita e tij mund të jetë prishur që në mëngjes, pasi fillimi i saj nuk ishte më i lumturi për Drejtorin e Përgjithshëm të Partizanit, Olsi Rama. Ringëtima në telefonin e tij mund t’i ketë shkaktuar nerva dhe tension, pavarësisht se në dukej dhe në daljet publike transmeton qetësi dhe kulturë. “Shef, Telushi u zu me Dalipin, la stërvitjen”, – mund të ketë lexuar Rama akoma pa hapur sytë mirë. Ai ka menduar menjëherë që vlonjati të lihej jashtë takimit me Luftëtarin, ndërsa në komentimin e ngjarjes për gazetën “Sport Ekspres” mundohet të minimalizojë episodin dhe të largojë vëmendjen nga episode të tilla. Kur pyetet se çfarë komenti ka për përplasjen ndërmjet Dalipit dhe Telushit, përgjigjja e tij është e qartë.
“Nuk ka patur përplasje si e komentoni ju, thjesht ashtu si e tha vetë lojtari një shprehje e dëshirës së tij për të luajtur. Pavarësisht kësaj të gjithë lojtarët kanë të njëjtin qëllim dhe duhet respektuar etika profesionale e vendit punës, ku vlerësimet dhe vendimet teknike i merr trajneri”, – shprehet Rama në lidhje me situatën në fjalë. Më tej, kur pyetet nëse do të ketë masa për mesfushorin vlonjat, Rama anashkalon dhe thekson se momentalisht mendon vetëm për takimin e sotëm kundër gjirokastritëve.
Më pas? Sigurisht, nuk do të kalohet kaq lehtë kjo ngjarje. “Ekipi është nisur për në Gjirokastër ku ka një ndeshje të rëndësishme dhe çdo energji duhet fokusuar te kjo ndeshje”, – u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, për “Sport Ekspres”.