Ofertë zvicerane për Lilajn, Skënderbeu vlerëson shitjen

0

Përveç Jashanicës, që pritet të jetë shitja e parë, klubi mund të sakrifikojë edhe mesfushorin lider, pasi i përfundon kontrata në fund të sezonit

Leonard Trebicka

Skënderbeu duket se është i zjarrtë në këto ditë pushimesh me emra të shumtë lojtarësh, të cilët pritet të firmosin kontratën e me bardhekuqtë, por në janar do të ketë edhe lëvizje në dalje.

Deri tani janë lakuar shumë emra futbollistësh për merkaton e korçarëve, ndërsa klubi nuk ka mbajtur asnjë qëndrim si për ata që përfliten se do të vijnë, ashtu edhe për ata që mund të largohen. Në fakt, drejtuesit e Skënderbeut flasin vetëm kanë bëhet fjalë për ndonjë lëvizje zyrtare dhe këto lloj lëvizjesh janë parashikuar të bëhen në Antalia, gjatë përgatitjeve dimërore të ekipit. Portieri Selmani i Laçit, apo Albi Doka e ndonjë tjetër, janë emrat më të lakuar për të qenë pjesë e korçarëve, por në këtë moment mbeten vetëm alternativa. Presidenti Ardjan Takaj dhe drejtuesit e tjerë të klubit juglindor po studiojnë me vëmendje të gjitha alternativat, por edhe ofertat që kanë ardhur për lojtarë të ndryshëm të Skënderbeut.

LILAJ – Bajram Jashanica është më i përfoluri për momentin në lidhje me një shitje të mundshme të tij. Edhe vetë mbrojtësi kosovar është i bindur se do të largohet në një kampionat të huaj. Por dje është zbuluar një tjetër emër futbollisti, i cili mund të lëvizë në janar. Sabjen Lilaj, i cili pak ditë më parë u vlerësuar me çmimin Lojtari i vitit, ka shumë mundësi që në janar të largohet. Lilaj ka pasur edhe më parë oferta nga skuadra të ndryshme në Europë, por presidenti Takaj nuk ka dashur që ta bëjë këtë lëvizje. Këtë radhë gjërat ndryshojnë dhe duket momenti më i mirë që mesfushori të kalojë në një skuadër tjetër. Nga burime pranë klubit bëhet me dije se për Lilajn ka ardhur një ofertë serioze nga Zvicra, por interes për të ka edhe nga Belgjika apo Rusia. Këtë ofertë presidenti Takaj është duke e studiuar me kujdes, pasi bëhet fjalë për lojtarin më të mirë në kampionatin shqiptar dhe largimi i tij mund të lërë një gropë të madhe. Lilaj mund të shitet vetëm nëse oferta për të është e mirë financiarisht dhe e justifikon këtë lëvizje.

Sabjeni për momentin ndodhet në Çeki, duke kaluar pushimet, kështu që ka qenë e vështirë për të komunikuar me të. Kur të kthehet ai do të ketë një takim me presidentin Takaj, sepse shitja e tij po vlerësohet seriozisht. Lilaj ka mundësi të shitet në janar, sepse në fund të këtij sezoni i përfundon kontrata me Skënderbeun dhe nëse presidenti Takaj kërkon të mbushë arkën e klubit dhe të përfitojë nga ky lojtar, është ky momenti i duhur për ta bërë një gjë të tillë. Në të kundërt, lojtari del me parametra zero në fund të këtij sezoni. Plus kësaj, është rritur ndjeshëm oferta për Lilajn, pasi ai gëzon një formë shumë të mirë. Duket se po vjen momenti që Lilaj të kalojë në një kampionat të huaj, me shumë mundësi në Zvicër, por emri i ekipit të interesuar për të ende nuk është zbuluar.

MERKATO – Te Skënderbeu nuk flitet vetëm për merkaton në dajle, ku veç Lilajt dhe Jashanicës, në listë janë edhe Nimaga, Mici, Xhejms, Gavazaj e ndonjë tjetër. Vëmendja e të gjithëve në qytetin juglindor është për futbollistët, të cilët do të afrojë presidenti Takaj në merkaton dimërore. Deri tani nuk ka asgjë zyrtare, por është e qartë se Skënderbeu po punon me menaxherët e tij për të afruar sa më shpejt një sulmues race. Martin Nespor konsiderohet i larguar, por nuk kemi ende asgjë zyrtare nga klubi. Me largimin e tij, mbeten vetëm Ali Soue dhe Xhejms Adeni për sulmin, kështu që blerja e të paktën një sulmuesi është detyrim për klubin korçar. Këtë gjë trajneri Ilir Daja e ka theksuar shpesh pas ndeshjeve të fundit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.