Objektivi i Tiranës, 7 fitore e kualifikimi në Kupë

Trajneri sërish zhvillon analizë me skuadrën, por një humbje me Apoloninë trondit pozitat. Ekipi ravijëzon objektivat deri në fund të 2017-ës

Olsi Avdiaj

Marvin Turtulli është kthyer sot në stërvitjen e Tiranës. Mbrojtësi ka zhvilluar normalisht stërvitje me pjesën e grupit kryesor, ndonëse duhet të qëndronte edhe disa ditë pushim. Gjithsesi, futbollisti ende ndjen ndonjë shqetësim të vogël, por do të sakrifikojë për ekipin për takimin me Apoloninë. Mësohet se lojtari është gati për ndeshjen e së shtunës që Tirana do të zhvillojë me Apoloninë. Një lajm i mirë për trajnerin Ze Maria i cili ka pasur probleme në mbrojte pikërisht në sfidën me Bylisin.

Objektivi – Trajneri i Tiranës, Hoze Marçelo Ferreira duket se ka një ndeshje për “jetë a vdekje”, sfidën me Apoloninë. Një humbje do ta vinte në vështirësi shumë qenësinë e tij te bardheblutë. Në fakt trajneri Ze Maria, dje është paraqitur para ekipit dhe u ka bërë të qartë të gjithë objektivat. Skuadra duhet të fitojë të gjitha ndeshjet në Kategorinë e Parë për 2017-ën dhe duhet të kualifikohet në Kupën e Shqipërisë kundër Vllaznisë. Këto janë objektivat që ka vënë trajneri Ze Maria dhe presidenca për bardheblutë. Shkurt, Tirana nga tani e në vazhdim duhet të fitojë shtatë ndeshje në kampionat, pra dy takime të fazës së parë dhe pesë takimet e fazës së dytë. Po kështu në dy ndeshjet me Vllazninë duhet kualifikimi. Vetëm kështu Tirana ia del që të shpëtojë dhe të arrijë objektivat që ka në Kategorinë e Parë.

Stërvitja – Edhe dje pas analizës së zhvilluar nga trajneri Ze Maria, stërvitja ka qenë nga ato që të nxjerrin “xixa nga sytë”. Trajneri brazilian nuk ka harruar sfidën me Bylisin dhe u ka bërë “zbor” lojtarëve që të hënën. Vrapime e lojë pa fund për 90 minuta përgatitje. Futbollistët janë parë të rraskapitur në fund të përgatitjeve edhe pse sot pritet që ekipi të ketë dy stërvitje gjatë ditës. Njëra paradite e tjetra pasdite.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *