Sokol Cikalleshi është pjesë e Goztepe në Turqi dhe tashmë ka një mision: të bindë trajnerin e ri për të zënë një vend në formacion. Sulmuesi sigurisht që dëshiron të luajë sa më shumë e të shënojë, por nga Turqia ka pasur edhe zëra për një largim tijin.
“Jam i huazuar te Goztepe deri në fund të sezonit. Nuk kam në plan të lëviz, por edhe teknikisht sepse është skuadra ime e dytë për këtë sezon dhe nuk mund të shkoj edhe në një tjetër ekip të tretë. Për më tepër, prej dy javësh në skuadër ka ardhur trajneri i ri. Tashmë ndihem i gatshëm edhe fizikisht. Do të kërkoj që prej fazës përgatitore në Antalia që të marr sa më tepër minuta në fushë dhe të kthehem në titullar”, tregon Cikalleshi në një intervistë për “A2 News”.
Dëmtimet e kanë penalizuar shpesh kavajasin, i cili edhe nuk është ftuar edhe në kombëtare nga trajneri Kristian Panuçi. Gjithsesi sulmuesi nuk bën polemika. Fillimisht do të luajë me ekipin e tij. Sigurisht për kombëtaren është gati.
“Këto dy vitet e fundit kanë qenë disi të vështira për mua, por duhet të vazhdosh të luftosh. Më vjen keq që nuk kam qenë pjesë e Kombëtares, do të dëshiroja të jem gjithmonë aty dhe të ndihmoj ekipin, por këto janë çështje të trajnerit. Por, e rëndësishme është që të luaj në skuadrën time dhe nëse kjo ndodh, besoj që do të jem pjesë e Kombëtares”.
KUALIFIKUESET – “Çdo grup në kualifikueset e Euro 2020, jam i sigurt që do të ishte i vështirë. Kemi mundësinë për të bërë diçka, edhe pse Turqia dhe Islanda janë skuadra shumë të mira, duke mos harruar Moldavinë. Ndeshja e parë me Turqinë në shtëpi është thelbësore, sepse për të provuar kualifikimin duhet të mundësh rivalin direkt. Është thikë me dy presa, sepse humbja në shtëpi në ndeshjen e parë do të ishte një ndeshje shumë e keqe. Me Turqinë kemi arritur rezultate në miqësore, por na kanë mposhtur gjithmonë në ndeshje zyrtare. Uroj që kjo të jetë hera e parë kur do të fitojmë një ndeshje zyrtare”.
“Kualifikimi në Euro 2016 ishte i veçantë, sepse përveç faktit që ishte hera e parë, u bashkuan shumë faktorë. Tashmë është edhe më e vështirë, sepse një herë e arritëm, por vështirësia është ta mbash këtë. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Trajneri besoj që i ka idetë e qarta tashmë, sepse u bë shumë kohë në kombëtare. Edhe ndeshja me Andorën duhet fituar, sepse edhe ajo nuk është e lehtë. Por, në fillim ta nisim mbarë ndaj Turqisë”.