Efekti i emrave të ekipeve të mira ku luajnë legjionarët e Shqipërisë po jep frytet e saj. Nëse më parë jemi mësuar zakonisht që lojtarëve tanë “t’u bien gjunjët” në pjesën e dytë dhe më saktësisht pas minutës së 65, kjo nuk ndodhi këtë herë.
Në aspektin fizik, mund të thuhet se Shqipëria ishte në perfeksion ndaj Spanjës. Pavarësisht se kundërshtari po qarkullonte topin gjatë gjithë kohës, kuqezinjtë shfaqën shumë pak mangësi në aspektin fizik duke i kundërpërgjigjur mirë kundërshtarit.
Madje për një moment dukej se edhe nëse ndeshja do të zgjaste për 100 minuta, Spanja nuk do të afrohej kurrë në portën e Etrit Berishës për të shënuar. Goli i parë ishte tërësisht i dhuruar nga Kumbulla në atë pasim të korridorit të ngushtë për te Bare, ndërsa i dyti ishte vetëm një mungesë e fokusimit të Kumbullës që la në pozicion të rregullt Jordi Alba. Por sa shumë shpresë për të ardhmen… /Sport Ekspres/