Nuk rrinte në mes të portës! Zgjedhja jo normale e Bekajt, shihni si e hutoi Liridon Latifin për të humbur penalltinë

Liridon Latifi nuk e kishte humbur ende një penallti me Vllazninë në këtë sezon. Në të vetmin rast kur ky futbollist gaboi ndaj Partizanit, do të përsëritej sërish mundësia nga 11-metrat dhe do të realizonte me panenka.

Por Latifi kishte mundësinë ideale për të mbyllur ndeshjen ndaj Tiranës dhe nuk ia doli. Shkodranët kaluan të parët në avantazh dhe në të 35 do të akordohej penalltia nga Jorgji. Latifi nisi të merrte përsipër ekzekutimin dhe Bekaj shkoi menjëherë pranë një cepi të shtyllës, me një zgjedhje jo normale, teksa la të boshatisur qëndrën e portës.

Një lojë nervash në të cilën arriti që ta shpërqendronte Latifin. Ky i fundit zgjodhi që të godiste fort në cepin e lënë tërësisht bosh nga Bekaj dhe portieri i Tiranës e kuptoi fare mirë idenë duke u hedhur në të njëjtën krahë, por ishte shtylla që e shpëtoi. Në fund, Ismajlgeci barazoi për ta mbyllur të parën në 1-1. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *