“Nuk na e falën fitoren, kemi bërë ndeshjen e përsosur”, Berat Gjimshiti tregon si e mposhtën Liverpool-in

Atalanta mori një fitore të rëndësishme mbrëmjen e djeshme në Europa League. Bergamaskët heshtën “Enfild”-in me fitoren 0-3, që i dërgon me njërën këmbë në gjysmëfinale. Berat Gjimshiti ka folur për kanalin zyrtar të klubit zikaltër mbi këtë përballje. Mbrojtësi shqiptar është shprehur se skuadra e tij ka zhvilluar një ndeshje të përsosur dhe ka treguar mënyrën se si kanë mposhtur një nga klubet më të lavdishme të Europës.

“Isha edhe kur fituam në Champions, por fitorja e djeshme është edhe më e bukur, sepse kemi mundur një skuadër historike si Liverpool-i në shtëpinë e saj dhe me mbështetjen e tifozerisë së saj. Është bukur të fitosh 3-0. Praktikisht kemi bërë ndeshjen e përsosur si në të parën, ashtu edhe në pjesën e dytë dhe nuk ishte e falur. Ishim të zotët të bënim një presion ultra-agresiv duke i vënë në vështirësi. Liverpool-i ka bërë shumë gabime, por gjithsesi me ta duhet të jesh gjithmonë i vëmëndshëm, sepse siç u pa, janë të shpejtë në tranzicion. Ata kanë pasur disa raste dhe ne kemi pasur pak fat, që në ndeshje të tilla shërben gjithnjë”, ka thënë Berat Gjimshiti./Halit Delibashi-Sport Ekspres/