“Nuk mund të bëhem kuksian menjëherë”, Gega flet para Tiranës: Do bëj po aq sa te Partizani

Trajneri Skënder Gega ka folur përpara përballjes që do të ketë Kukësi kundër Tiranës. Ky do të jetë debutimi i këtij tekniku në Superiore nën drejtimin e verilindorëve që kanë pasur shumë largime në merkaton e verës. Megjithatë fryma optimiste mbizotëron në skuadrën që është e ndërtuar për të fituar titullin kampion.

Në konferencën për shtyp, trajneri Gega është shprehur mes profesionalizmit se nuk mund të bëhet menjëherë kuksian. Megjithatë sipas asaj që raporton “Supersport”, premton se do të bëjë po aq te kjo skuadër sa edhe te Partizani, që e ka indentitet dhe nuk mund ta mohojë.

“Grupi që ka ardhur na bën optimistë, është grup i mirë me kualitet. Kanë eksperiencë dhe jemi munduar të bëjmë një miks midis atyre me një të kaluar shumë të mirë dhe lojtarëve me moshë të re. Është grup i mirë, edhe nga ana njerëzore. Do na ndihmojnë të punojmë të qetë. Unë nuk kam ndryshuar, kam ndryshuar vetëm uniformën. Dua të marr më të mirën nga çdo futbollist”.

Partizani? Është diçka e kaluar, kam qenë me fat dhe ishte privilegj që isha pjesë e të kuqve. Partizani është identiteti im, aty jam rritur dha kam zhvilluar karrierën time. Do të bëj po aq shumë edhe për Kukësin. Jam profesionist, nuk mund të bëhem kuksian menjëherë, por për aq kohë sa jam këtu do të bëj maksimumin. Dua të justifikoj besimin dhe mbështetjen që më kanë dhënë. Ky është profesionalizmi, por le t’ia lëmë kohës. Gjithë ambienti shqiptar është i ngarkuar me presion.

E kemi në gen, jemi emocionalë. Ka lloj lloj presionesh, por është presion i zanatit tonë. Duhet të jesh i gatshëm ta përballosh dhe të krijosh balancat. Objektivat janë të qarta, unë jam i qartë për veten time dhe me ekipin. Kur është qëllimi i mirë dhe ka bashkëpunim, presioni është i kuptueshëm”, ka thënë Gega. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *