“Nuk më ikën nga kujtesa ai eliminim në kupë, do e ndërroja këtë fitore me kualifikimin”, Martini: Sot ishte revansh, e çuam Tiranën atje ku deshëm

Tirana nuk e nis në mënyrën e duhur kampionatin pas kthimit nga pushimet për shkak të ndeshjeve të Kombëtareve. Bardheblutë janë befasuar sot nga Teuta. Bregdetarët kanë fituar me shifrat 1-2 në “Air Albania”, duke i hequr nga duart “final four”-in kryeqytetasve. Jazxhi realizoi një gol të mrekullueshëm me një goditje në afërsi të zonës në minutën e 45 të takimit. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e durrsakëve dhe në të njëjtën mënyrë nisi edhe e dyta. Daci e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 51-të, duke i dhënë qetësi Teutës. Tirana reagoi me anë të Lulajt në minutën e 90, por atëherë ishte tepër vonë për të ndryshuar fatin e këtij takimi.

Në krahun tjetër, Vllaznia është ndalur në shtëpi nga Erzeni. Bekim Balaj i dha epërsinë shkodranëve në minutën e 28, kur me një goditje me kokë e ndali topin në rrjetë. Por festa nuk zgjati shumë gjatë. Në minutën e 39 Maliqi ktheu sërish baraspeshën dhe fiksoi shifrat në 1-1. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e trefishtë të arbitrit. Më poshtë ndiqni intervistat e trajnerëve për emisionin “Skaner Superiore” në “MCN TV”.

Martini (Teuta): “Duhet të më iki vonë nga kujtesa ai eliminim nga Kupa. Ishte një ndeshje revanshi. Nuk e lamë Tiranën të luante. Kemi luajtur në Elbasan për Kupë më mirë se sot. Nuk jam shumë i kënaqur. E kisha frikë, sepse shumë herë gjatë kampionatit kemi pësuar gol në minutat e fundit. Duhet të shënonim edhe golin e tretë, të ishim më të qetë dhe të mbyllnim gjithçka. E kishim përgatitur ndeshjen gjatë gjithë javës dhe e çuam ndeshjen atje ku donim ne. Çdo veprim të tyre ne e kishim përgatitur gjatë javës. Edhe dëshira e grinta ishin më të mëdha se të Tiranës. Ne kemi një ndeshje shumë të rëndësishme të prapambetur me Dianmon. Është një ndeshje që do të na japi një lloj rruge, nëse do të vazhdojmë në katërshe apo të vazhdojmë kështu si jemi që të mos shohim poshtë. Kualifikimi i Kupës më dhemb shumë. Do e kishim me Kukësin më pas dhe mund edhe ta fitonim Kupën. Do e ndërroja këtë fitore me kualifikimin në Kupë”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/