Igor Nedeljkoviç, sulmuesi serb i afruar vetëm pak ditë më parë te Flamurtari, do të nisë stërvitjen me vlonjatët shumë shpejt dhe jo në janar. Burime nga klubi kuqezi kanë sqaruar për “Sport Ekspres” se sulmuesi do të jetë që tani, ashtu si Muarem, nën urdhrat e trajnerit Duro, në mënyrë që të përshtatet me grupin. Sulmuesi serb pritet të jetë të martën në stërvitje me Flamurtarin. Për merkaton duhet thënë se këto dy afrime nuk do të jenë të vetmet te Flamurtari. Nuk bëhet fjalë vetëm për Dejvi Bregun, por edhe një tjetër lojtar. Për mesfushorin vlonjat ka një akord me klubeve të Luftëtarit dhe Flamurtarit, por tashmë duhet bindur edhe lojtari. Madje, trajneri Duro do të takohet personalisht me Bregun dhe priten zhvillime pozitive rreth kësaj lëvizjeje. Por Bregu nuk do të jetë i fundit në merkaton e dimrit. Një tjetër lëvizje do të bëhet në ditët e fundit të dhjetorit, por nuk ka të dhëna për këtë lojtar. Dihet vetëm që atë kreu i stolit vlonjat e njeh mjaft mirë. Një afrim, që do të jetë i katërti për vlonjatët dhe i fundit në merkaton e janarit. Në gjysmën e dytë të kampionatit pritet të jetë gati edhe mbrojtësi Franc Veliu. Mbrojtësit Ivan Jakovljeviç i përfundon kontrata, por ai pritet të rinovojë me Flamurtarin.
Pas fitores me Vllazninë, skuadra ka pushuar dje dhe sot nis përgatitjet për takimin me Laçin në kampionat. Në mesjavë luhet takimi i kthimit në kupë me Turbinën, por fitorja e thellë 6-1 në transfertë bën që të mërkurën të luhet me të rinjtë. Mendja është te Laçi në fundjavë. Për këtë takim kthehen Useini dhe Zhufo.