Myrto Uzuni është shembulli më i pastër se si me punë, vullnet të hekurt dhe qëllime të qarta mund të bësh përpara në rrugën e futbollit, madje edhe nëse e nis nga nivelet më të ulta të kampionait shqiptar. Nga ekipi i Tomorit deri te shkëlqimi me Lokomotivën e Zagrebit, ku është vënë në radarët e kampionateve elitare europian. I tillë është rrugëtimi i talentit shqiptar, që vetëm sapo ka nisur.
Këtë e konfirmon edhe vete sulmuesi kuqezi, i cili në një intervistë për “Fax Sport” me gazetaren Klevisa Alinani, shpalos të gjithë ambicien që ka për të ardhmen. Ofertat për të nuk mungojnë dhe me shumë mundësi sezoni i ardhshëm pritet ta gjejë në një nga kampionatet më të forta të Europës. Vetë Uzuni ka konfirmuar interesimin e Majorkës dhe Getafes, ndërsa shton se është edhe nëj klub tjetër nga La Liga dhe dy nga Serie A. Sa i përket kombëtares, fanella kuqezi është një emocion i veçantë për të dhe ka dëshirë që të zërë vendin në formacionin bazë në të ardhmen.
“Uroj ta mbajmë vendin e dytë pasi të dërgon në kualifikueset e Champions-it. Por mendoj se është edhe Hajduku i Splitit, Osijeku dhe Rijeka. Gabuam dje në transfertë kundër Istrës dhe Osijeku është vetëm dy pikë larg.
Si është të laush me shqiptarë? Është shumë mirë, pasi jemi shumë shqitparë dhe ndihemi komod në fushën e lojës. Kuptohemi mirë me njëri-tjetrin dhe kombinohemi. Por realisht në klubin e Lokomotivës së Zagrebit nuk ka dallime shqiptar apo kroat, prandaj kemi ecur mirë në klasifikim deri tani. Na thonë “banda e shqiptarëve”, por realisht jemi shumë komod. Me të gjithë i kam marrëdhëniet shumë të mira.
E ardhmja? Uroj të mos qendroj te Lokomotiva e Zagrebit, pasi qëllimet e mia janë të luaj në një kampionat më të fortë ku të provoj veten time. Besoj me punë dhe me pak fat, uroj të jetë viti im. Kam bërë një sezon shumë të mirë, pasi kam shënuar dhe asistuar. Janë 3 klube nga kampionati spanjoll. Është e vërtetë që më kërkon Majorka dhe Getafe, të tretën më mirë të mos e zbulojmë. Realisht janë interesime në klub por duhet të ketë ofertë zyrtare. Atalanata dhe Fiorentina në Itali? Nuk kam dijeni për këto dy klube, por janë 2 skuadra të tjera. Di që janë 2 klube italiane që kanë shfaqur interesimin e tyre te Lokomotiva, por nuk i di emrat nëse është Fiorentina dhe Atalanta. Për mua janë dy kampionatet më të forta në botë. Për mua nuk ka problem Serie A apo La Liga, kjo është një ëndërr fëmijërie që uroj të bëhet realitet së shpejti.
Kombëtarja? Nuk kam qenë në formacionin e Kombëtares. Kam qenë prezent, por nuk kam dhënë kontributin tim. Për mua është ndjenja më e bukur të përfaqësoj ekipin kombëtar. Uroj të jem në formacionin startues, pasi qëllimet e mia nuk janë që të jem thjesht në listë, por të kontribuoj në ekipin kombëtar. Normalisht puna ime është të jap maksimumin në fushën e lojës dhe të shënoj gola. Ne matemi me gola dhe asist.
Ftesa nga Panucci? Jam ndjerë shumë i lumtur. Panuccin e falenderoj shumë pas edhe 50-60 viteve unë mund të them që ishte trajneri i parë që më solli ftesën. Jam ndjerë shumë mirë dhe shumë krenar të përfaqësoj kombin tim. Për sa i përket rezultateve, nuk luan trajneri në fushën e lojës. Mendoj duhet të shohim nga vetja, por trajneri është i pari që e pëson. Tani grupi ka ecur shumë mirë. Nuk ishte vetëm faji i Panuccit, por edhe i ne lojtarëve, duke nisur nga unë i pari. Në kombëtaren shqiptare ka shumë shembuj për t’u marrë, duke u nisur që nga Lorik Cana, Erjon Bogdani, Ervin Skela, por më duhet shumë punë për të arritur rezultatet që kanë dhënë ish-lojtarët e Kombëtares.
Në futbollin shqiptar është shumë e vështirë të çash pa mbështetje. Unë falenderoj prindërit e mi që më kanë mbështetur dhe falë punës sime të palodhur, pasi nuk jam dorëzuar kurrë. Ku kam arritur deri tani është vetëm fillimi, pasi synoj të shkoj më lart sepse ëndrrat e mia janë më të mëdhaja.
Pengu im është që nuk arritëm të fitonim Kupën me Laçin në finale”, ka deklaruar Myrto Uzuni./Halit Delibashi-Sport Ekspres/