Sir Alex Ferguson zgjidhte gjithmonë lojtarët që do të sillte në Manchester United. Nuk kishte asnjë shans që dikush të dilte në fushë dhe nuk jepte gjithçka nga vetja.
Ish-lojtari i Djajve të Kuq, Patrice Evra tregon se Sir Alex nuk i ka pëlqyer shumë sjellja e futbollistit portugez Nani dhe zbulon detajet e ndeshjes kundër Liverpool-it në vitin 2011, kur portugezi mori një goditje.
“Të kujtohet sesi Jamie Carragher e preu Nanin në Anfield?”, pyeti Evra-Rio Ferdinand dhe vazhdoi historinë.
“Mbaj mend që ai për pak i theu këmbën. Ne filluam një përballje me lojtarët e Liverpool-it. Paul Scholes erdhi dhe pa Nanin duke qarë dhe i tha atij ‘nuk ka gjë, le të vazhdojmë’”, tregon Evra.
Sir Alex Ferguson më pas hyri në skenë. Ai nuk i duroi qarjet në fushë dhe i dha Nanit një mesazh të qartë.
“Shpresoj që të të thyhen këmbët. Shpresoj shumë që të jenë thyer”, tregon Evra fjalët e të famshmit Sir Alex dhe vazhdon rrëfimin.
“Kur sheh dikë duke qarë në Anfield, është e papranueshme. Ferguson gjithmonë donte të ‘vriste’ Nanin. Ai i tha atij se nuk mund të ishte lojtar i United dhe ta bënte këtë.
“Pas kësaj, Ferguson i dha dy javë pushim për t’u rikuperuar. Të gjithë në atë ekip ishin gati ta vrisnin”, tregon Evra. /Elio Hajdari-Sport Ekspres/