Dëshira për trofe nuk u përmbysh këtë vit për Kukësin, që u rendit i dyti në kampionat, ndërsa nuk ia doli të triumfonte as në Kupën e Shqipërisë. Një sezon që nuk mund të quhet i suksesshëm ky sipas Nderim Nexhipit. Drejtori sportiv i Kukësit skanon në një intervistë për “Top Channel“ këtë sezon të lënë pas për verilindorët. Nexhipi ndjen keqardhje për largimin e Abazaj e Shkurtaj, ndërsa bën të qartë se pret më shumë nga Gavazaj. Gega do të jetë trajneri i ri i Kukësit dhe drejtori sportiv i nënkampionëve thotë prerë se kushtet nuk ndryshojnë aspak për të.
“Unë vitin e shkuar e konsiderova gjysmë të suksesshëm pasi morëm vendin e dytë dhe Kupën e Shqipërisë. Ndërsa këtë sezon që e mbyllëm pa trofe dhe unë vetë nuk e quaj dot të suksesshëm. Pasi edhe ekipi por edhe ambiciet e klubit janë që të fitojnë të paktën një trofe. Unë personalisht si drejtor i klubit si Nderim Nexhipi unë mendoj që e vetmja arsye që ne nuk u shpallëm kampion këtë vit është mos lozja në Kukës, asgjë tjetër.”
Largimet që ndjen keqardhje
“Padyshim që ikja e Shkurtajt dhe Abazaj, është një gjë që na duhet ta kompensojmë, pasi po na ikin dy lojtar kyç të ekipit.”
Lojtari që ka më tepër rezerva
“Të them të drejtën unë di se çfarë kualiteti ka Gavazaj. Ai nuk është që ka bërë një sezon shumë të mirë me ne sepse të gjithë e dinë potencialin që ka ai.”
Trajneri Skënder Gega.
“Për trajnerin Gega nuk kemi se çfarë të themi më shumë opinioni e njeh. Ekipin e fundit që ka drejtuar, Partizanin e shpalli kampion. Cdo trajner që kemi marrë kushtet mbeten të njëjtat që i përmend edhe presidenti shpesh. Të gjithë i dinë ambiciet e Kukësit dhe që çdo vit lufton për titullin. Të them të drejtën për momentin nuk kemi në listën tonë lojtarë as nga Partizani as nga Tirana”, ka deklaruar Nderim Nexhipi./Halit Delibashi-Sport Ekspres/