“Nuk kemi çfarë të zbusim ne“, Kokëdhima përgënjeshtron Yllin: Bojkoti vazhdon, edhe Kukësi është pro

Çështja e bojkotit ende nuk po merr një zgjidhje. Negociatori i Qeverisë, Fidel Ylli, është shprehur optimist në deklaratat e fundit duke u shprehur se kampionati mund të rinisë së shpejti. Megjithatë nuk ka pasur një përgjigje zyrtare nga kreu i Qeverisë për të përmbushur kërkesat e klubeve të Superiores, për ktë arsye presidenti i Apolonisë ndan tjetër mendim nga Ylli dhe i mëshon sërish bojkotit. I ftuar në emisionin “Sport News Plus“ në “News 24“ me moderatoren Daljana Sejdija, Kokëdhima bën me dije se nuk ka ndodhur asgjë për të ndërprerë bojkotin dhe të gjitha klubet janë në të njëjtin mendim, përfshirë edhe Kukësin.

“Njerëzit e matematikës thonë se shtrimi i drejtë i problemit përmban gjysmën e zgjedhjes. Ky bojkot ka ndihmuar për zgjidhjen e problemit. Kërkesa e Ligës profesioniste është që të gjithë aktorët të ndërgjegjësohen dhe të marrin përgjegjësitë e tyre. Nuk mendoj se kjo javë do t’i japë fund bojkotit.

Nuk ka ndodhur ndonjë gjë që të ndërpritet bojkoti. Qeveria këtë javë mund të ketë lexuar letrat që i kemi dërguar ne, nuk ka ndodhur gjë tjetër. Nuk kemi çfarë të zbusim ne, jemi të qetë dhe të urtë. Kërkesat janë të qarta. Teoria e Fidelit është e njohur, nuk ka asnjë bazë të vërtetë. Ai e vetmja gjë që ka kërkuar është t’i jepet fund bojkoti. Fideli nuk ka asnjë fuqi dhe kompetencë. Këto janë çështje që i përkasin qeverisë. Nuk është Liga që mungon në diskutime. Nuk e kuptoj pse qeveria, që i cilëson kërkesat e Ligës të drejta, ka nevojë që ta shikojë zgjidhjen te Liga.

Të gjitha klubet janë në të njëjtën qëndrim, çdo vendimmarrje ka qenë unanime. Pa një zgjidhje, një marrëveshje të qartë, nuk do të ketë rifillim të kampionatit. I kemi diskutuar të 3 skenarët. Nuk ka asnjë qëndrim ndryshe. Klubi i Kukësit është tërësisht loajal, pro bojkotit të vendosur nga Liga”, është shprehur Koço Kokëdhima./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *